Guardiola: Aguero ishte vendimtar

05.03.2017 22:02:33

Pep Guardiola ka siguruar tifozët e Manchester City se ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Sergio Aguero dhe ka përgëzuar sulmuesin argjentinas pas paraqitjes së tij në fitoren 2:0 kundër Sunderland të dielën.

Me ardhjen e Jesus në janar u duk sikur trajneri spanjoll do ta kthente Agueron në zgjedhjen e tij të dytë por një dëmtim i brazilian ka bërë që El Kun të kthehet në qendrën e sulmit të Qytetarëve. Dhe ai ia ka shpërblyer me pesë gola në tre ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë edhe golin e avantazhit në “Stadium of the Light”.“Unë jam, dhe kam qenë që në fillim të sezonit, shumë i kënaqur me paraqitjet e Sergios. Unë e di që ai është një lojtar i madh dhe kur nuk luan do të ketë gjithmonë debate, si ‘pse, pse, pse?’,” shprehet Pep për Sky Sports në fund të takimit.“Por ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer; jemi të ndershëm me njëri-tjetrin dhe i thashë kur erdhi Jesus se doja t’i jepja më tepër vazhdimësi, por në të ardhmen do t’i aktivizoja të dy. Golat e Aguero-s janë të rëndësishëm për ne. Ndeshja e fundit kundër Huddersfield ishte fantastike, ai shënoi dy gola dhe sot një tjetër. Ai na ka ndihmuar shumë në ndërtimin e aksioneve. Edh sot ishte brilant.” Me fitoren kundër Sunderland, Manchester City tashmë ndodhet në vend të tretë me një ndeshje më pak se Tottenham.