“Guri” pengesë e Albin Kurtit, posti i presidentit që s’po e lëviz Isa Mustafa

24.12.2019 20:57:38

Vetëvendosje dhe LDK kanë shumë pak afat për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.

Për të enjten, më 26 dhjetor është caktuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, aty dy subjektet duhet ta kenë marrëveshjen e finalizuar, shkruan lajmi.net.

Për negociatat, dhe ecurinë e tyre, u deklarua sot në mbrëmje edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Ai konfirmoi se mes dy partive ka pengesa për arritjen e marrëveshjes, që ai e quan “gur”, por që tha se nuk është shkëmb e as guralec.

“Në këtë rrugën e këtyre bisedimeve me partnerin tonë qeverisës, jemi kah fundi, kemi një gur në rrugë, nuk është as shkëmb e as guralec, mirëpo me urimet më të mira të Dom Lush Gjergjit, lutjet e të gjithëve dhe përkushtim mendoj se do t’ia dalim me sukses.Ju kam thënë më herët se kur t’i kemi rezultatet konkrete do t’i bëjmë publike ato, por derisa vazhdojnë negociatat duhet të lëmë procesi t’a ketë të vetën”, tha Kurti.

E pengesa që Kurti e quan “gur” aktualisht është posti i presidentit, të cilin LDK po e kërkon me ngulm t’i takojë asaj.

Në fakt, çështja e postit të presidentit ka ngrirë qysh nga fillimi finalizimin e marrëveshjes mes dy partive, për shkak të refuzimit të VV-së që për këtë çështje të arrihet pajtueshmëri qysh tani.

Duke parë deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të LDK-së, po nënkuptohet se kjo parti po lëshon dalë ngadalë pe në qëndrimet e saja strikte për postin e presidentit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri mbrëmë la të kuptohet se partia e tij është e gatshme të ofrojë një marrëveshje, ku përcaktohet që për postin e presidentit të arrihet më vonë pajtushemëri, specifikisht në kohën kur edhe përfundon mandati i Thaçit në këtë pozitë.

Gjithsesi, një çështje e tillë u diskutua sot në mbledhjen e organeve të partisë në LDK.

Nga kjo mbledhje u raportua se insisituesi më i madh që LDK të qëndrojë stoike ndaj qëndrimeve të saja për presidentin është nënkryetari tjetër, Agim Veliu.

E insistimi i Veliut dhe anëtarëve tjerë të LDK-së, mund të jetë pikërisht pengesa që kjo parti të zbutë qëndrimet e saja.

Arbërie Nagavci, deputete e rizgjedhur e VV-së, përmes një postimi në Facebook, la të kuptohet se nga LDK mbesin kërkesat e njëjta.

Ajo pati edhe një porosi për partinë e Mustafës, për të cilën tha se duhet t’i hap rrugë formimit të Qeverisë, që në thelb nënkupton heqjen dorë nga posti i presidentit.

Duke parë ecurinë e gjërave dhe zhvillimeve, seanca e 26 dhjetorit mund t’i zë VV-në e LDK-në pa marrëveshje.

Në këtë rast, njohësi i rrethanave politike, Artan Murati ka sqaruar se nëse kjo ndodh, VV duhet ta propozojë kandidatin per Kryetar Kuvendi.

Nëse i njëjti nuk votohet, sipas Muratit do të ketë telashe të mëdha, për shkak se Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk parasheh çka ndodh në këto raste.

Në këtë alternativë, nëse nuk kalon kandidati i VV-së, duhet konsensus për emrin e propozimit tjetër të VV-së.