Haki Abazi: Fitorja e Erdoganit është humbje e Turqisë (Video)

26.06.2018 21:45:15

Analisti Haki Abazi thotë se fitorja e Erdoganit është humbje e Turqisë dhe paraqet rrezik për këtë shtet.

“Fitorja është Erdoganit është humbje e Turqisë, është fitore që duhet të analizohet nga trendet globale”, ka thënë Abazi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.

Sipas tij, fitorja e Erdoganit në shifra të tilla në kohën kur polarizimi i shoqërisë është i skajshëm, paraqesin rrezik për Turqinë.

“Fitorja me shifrat 53%, është rrezik për vetë Erdoganin dhe Turqinë, pasi polarizimi është i skajshëm pas puçit dhe përplasjet me kurdët”.

Sipas Abazit, Turqia ka qenë simbol i bashkëjetesës ndërmjet lindjes dhe perëndimit.

“Turqia ka qenë një simbol i ko ekzistencës së demokracisë dhe Islamit, ndërsa tash po bëhet një shthurje e tillë”, deklaroi më tej ai.

Pas këtij rezultati, sipas analistit, skeptikët do ta shtyjnë teorinë se islami si religjion dhe politika s’mund të bashkëjetojnë.

“Ata që kanë skepticizëm dhe shtyjnë përplasjet fetare në botë, munden ta shtyjnë teorinë se islami si religjion dhe politika, nuk munden të ekzistojnë në një ekosistem politik”, shprehet analisti politik.

Sipas Abazit, fitorja e tillë nga Erdogan pas disa viteve do të kthehet në “fitore të Pirros”.

“Duhet pa emocione me analizuar këtë fitore, që pas pesë ose pesëmbëdhjetë vitesh të quhet fitore e Pirros”, ka përfunduar Abazi.