E pyesin nëse është mysliman, forcat izraelite i pamundësojnë mbulimin e ngjarjes gazetarit kosovar të AP-së

26.06.2018 21:11:29

Një gazetar i Associated Press të martën u pengua nga mbulimi i një ngjarje, përkatësisht një vizite të Princit William të Britanisë së Madhe në rezidencën zyrtare të kryeministrit izraelit, pasi agjentët izraelitë të sigurisë e morën në pyetje për fenë dhe përkatësinë etnike.

Siç shkruan AssociatedPress, Nebi Qena, producenti kryesor i AP-së për Izrael dhe territoret palestineze, u mbajt në hyrje të rezidencës për 45 minuta, duke e detyruar atë të humbasë ngjarjen, ndërsa gazetarëve të tjerë u lejua hyrja.

Siç thuhet më tej, Zyra e Netanjahut më vonë kërkoi falje, duke e cilësuar si një “gabim njerëzor”.

Sipas AP, Qena është një shqiptar etnik nga Kosova dhe një shtetas shqiptar. Ai ka qenë me AP për 10 vjet, duke përfshirë tri në Jerusalem.

Ai ka rrëfyer se u pyet në mënyrë të përsëritur nga rojet e sigurisë lidhur me “origjinën etnike” të tij.

Gjithashtu kolegët e AP-së, në vendngjarje dhe në zyrën e Jerusalemit, u pyetën nga ndihmësit e Netanjahut për fenë e Qenës dhe nëse ai ishte një mysliman ndërsa ata u përpoqën t’i siguronin atij hyrjen.

AP thekson se Qena ishte regjistruar për ngjarjen përpara kohe dhe u sigurua se do të lejohej të hyjë.

“Associated Press e dënon këtë profilizim të hapur etnik dhe fetar të një gazetari dhe i bën thirrje zyrës së kryeministrit që të ndalë menjëherë praktikat e tilla të njëanshme”, ka thënë Lauren Easton, drejtoresha e marrëdhënieve me media të AP.