Zeja që po zhduket, Bardhi ndër leshnurët e fundit në Kosovë (Video)

26.06.2018 20:23:03

Zejet të vjetra, që ruajnë traditën, lashtësinë, por edhe qytetërimin në Kosovë, po zhduken. 

Zhgun punuesit ose leshnurët, ishin në numër të madh në qytetin e Pejës, por sot ka mbetur vetëm Bajram Bardhi.

Ai është i vetmi që vazhdon të punojë zanatin e leshpunuesit në Pejë por ndoshta edhe më gjerë.

Ai për RTV Dukagjinin, thotë se çdo ditë e hap dyqanin por ndodh që të mos punoj asgjë.

“Kam filluar të punoj si punëtor në Pejë sepse ishin afër 15 leshnurës, dhe atëherë kishte punë. Kanë punuar me sixhade, çilima etj., tregtarët i merrnin dhe i shitnin në deti. Përpos kësaj, e gjithë familja është veshur me rroba leshi, nga çorapët te xhemperët, madje kanë veshur edhe tirqi”, shprehet zejtari nga Peja.

Zejtari tregon se edhe tre djemtë e tij e kanë mësuar zanatin, por thotë se nuk i nevojitet ndihma e tyre pasi nuk ka punë për ta, përcjell Telegrafi.

“Rrallë vjen dikush nga fshati, ndonjë i moshuar, pakë njerëz më po e përdorin këtë material”.

Bardhi mendon se për shkak të vizitave që i bëhen nga vende të ndryshme, ai mundë të jetë i vetmi në Kosovë që ushtron këtë zanat.

“Në Gjakovë kishte, por nuk ka më. Dy zejtarë që merren me përpunimin e plisave vijnë te unë për përpunimin e materialit. Kanë ardhur edhe dy gra nga Hasi i Shqipërisë, dhe më kanë thënë se as atje nuk ka më kësi zeje”, tregon zejtari Bardhi, i cili thotë se do të vazhdojë ushtrimin e këtij zanati me gjithë vështirësitë.