Hakmarrja e Turqisë kritikohet nga komisari për të drejtat e njeriut

11.08.2016 10:37:30

Komisari i lartë për të drejtat e njeriut pranë OKB ka kritikuar hakmarrjen që Turqia po bën ndaj puçistëve. Zeid Rad Husein, komisari i lartë për të drejtat e njeriut pranë OKB kritikoi Turqinë për shkak se po hakmerret me pretekstin e grushtit të shtetit. Husein tha se ai ka marrë raporte mbi keqtrajtimin e personave të arrestuar dhe torturimin e tyre. Kjo është në kohën kur një oficer i lartë ushtarak turk, i cili ndodhej në detyrë në një bazë amerikane të NATO-s, ka kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara pasi është thirrur nga qeveria turke në vazhdën e spastrimeve pas grushtit të dështuar të shtetit të muajit të kaluar.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë për agjencinë “Reuters”. Kërkesa për azil shënon rastin e parë të njohur që përfshin një oficer ushtarak turk në Shtetet e Bashkuara, pasi Turqia ka nisur një fushatë të gjerë spastrimi në radhët e ushtrisë, pasi disa ushtarë të pabindur morën nën kontroll avionë luftarakë, helikopterë dhe tanke, në atë që rezultoi një përpjekje e pasuksesshme për të rrëzuar presidentin Tayyip Erdogan.