Halili: Marrëveshja e Ohrit është bërë një kujdestar i paqes në Maqedoni

13.08.2016 13:20:52

Është deklaruar edhe zv.kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, Festim Halili duke e vlerësuar marrëveshjen si të duhur për Maqedoninë. Halili në këtë post është për 4 muajt e fundit. Halili zotohet se shumë punë do të bëhen për sa kohë të ekzistojë kjo Kushtetutë dhe ky organizim i sotëm.

Në pyetjen ”Sa mendoni se ka qenë efikase në përmirësimin e jetës së qytetarëve Marrëveshja e Ohrit?” Halili përgjigjet si në vijim ”Para 15 viteve Maqedonia hyri në një moment historik i cili atëkohë u ndje dhe u vlerësuar si tragjik për shkak të dëmeve dhe pasojave që le një luftë e armatosur, por që në plan afatgjatë solli shumë dobi për gjithë qytetarët dhe vetë shtetin tonë. Marrëveshja e cila i dha fund një konflikti të armatosur ishte fillimi i një shtetëformësie të re të Maqedonisë dhe marrëdhënieve mes popujve në këtë vend, që deri atëherë shiheshin me shumë pak besim te ndërsjellë.

Ky dokument tanimë është vetë Kushtetuta dhe shpirti i këtij shteti, sepse kjo marrëveshje është shndërruar në një shtyllë kryesore të organizimit shoqëror dhe institucional të këtij vendi. Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të zgjerohet plotësisht ashtu edhe atëherë kur do ta kërkojë nevoja, kur do ta kërkojnë rrethanat e reja politike dhe së fundmi kur do të kërkojnë vetë qytetarët e këtij vendi. Marrëveshja e Ohrit është bërë një kujdestar i paqes në Maqedoni.

Shumë punë janë bërë që nga dita e miratimit të ndryshimeve kushtetuese ku në këtë fazë Marrëveshja e Ohrit tërësisht është integruar në Kushtetutë. Por në implementimin e ligjeve dhe respektimin e parimeve të kësaj marrëveshje janë bërë edhe më shumë, ndërsa edhe shumë punë do të bëhen për sa kohë të ekzistojë kjo Kushtetutë dhe ky organizim i sotëm. Marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar në një shkallë shumë më të lartë sec ishin 15 vite më parë, por kjo temë asnjëherë nuk mbyllet dhe gjithmonë do të trajtohet dhe kultivohet në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Pozita juridiko kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni është në një pozicion krejt ndryshe nga ai i para vitit 2001, por Marrëveshja e Ohrit dhe tanimë Kushtetuta e Ohrit në vazhdimësi do të jenë për të siguruar rruajtjen dhe avancimin e kësaj pozite sipas nevojave të kohës dhe situatës.

Të jemi realist, shumë punë kanë mundur të jenë edhe më mirë se kaq, shumë çështje kanë mundur të trajtohen më ndryshe, por mosbesimi i ngritur për dekada më herët ishte vështirë për tu ndryshuar në vetëm 15 vite dhe droja nga kjo marrëveshje nxiti tek elita politike maqedonase një mekanizëm rezistence dhe refuzimi ndaj risive dhe organizimit të ri shoqërorë dhe shtetëror që promovon Marrëveshja e Ohrit. Ka pasur dhe raste inatesh politike, ka pasur dhe situata të mosrespektimit të kësaj marrëveshje, ka akoma institucione që refuzojnë te zbatojnë parimet e përdorimit të gjuhëve dhe përfaqësimit adekuat, por ajo që është me rëndësi se tanimë qytetarët e këtij vendi veçanërisht shqiptarët për çdo ditë në çdo takim me shtetin ndjejnë ndryshimin. Gjuha shqipe është zyrtare nga institucioni më i lartë ligjvënës e deri te sportelet, aty ku i duhet qytetarit të rëndomtë. Përfaqësimi adekuat është në një rrugë të mbarë dhe me kohë, me një ngritje dhe avancim të kuadrove të nevojshme, me krijimin e hapësirave të reja shqiptarët dhe komunitetet e tjera do të zënë vendin dhe pozitat që ua garanton Kushtetuta e re. Ajo që është më e rëndësishme se vetë ligjet dhe që ne duhet ta ruajmë për një të ardhme më të mirë është vetë shpirti i Marrëveshjes së Ohrit,”