Halit Barani: Masakra në tregun e Mitrovicës ishte menduar më herët nga...

Halit Barani: Masakra në tregun e Mitrovicës ishte menduar më herët nga serbët

13.03.2017 14:48:46

Është përkujtuar të hënën njëra nga masakrat  më të rënda në Mitrovicë,  kur 18 vjet më parë, nga një bazë e forcave serbe është hedhur një granatë në tregun kryesor në qendër të qytetit, kur ishte ditë tregu dhe për plotë me qytetarë.

Nga ai granatim patën gjetur vdekjen gjashtë qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra, pleq e të rinj, ndërsa ishin plagosur rëndë mbi 128 të tjerë.

Shumë prej të plagosurve kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërsa një numër i konsideruar i tyre mbajnë proteza në gjymtyrë.

Kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo masakër ka qenë e menduar më herët nga serbët, pasi ata kanë njoftuar bashkëvendësit e tyre.

“Në vitin 1999 forcat ushtarake kanë kryer masakër në tregun e pemëve në Mitrovicë. Aty humbën jetën gjashtë persona dhe mbi 128 të tjera mbetën të plagosur dhe sot invalidë të përjetshëm. Serbët para se të ndodh kjo masakër i kanë njoftuar bashkëvendësit e tyre të mos dalin në treg ditën e shtunë, pasi çdo të shtunë dilnin femrat serbe për të shitur punime dore. Dhe pikërisht atë ditë asnjë femër serbe nuk ka dal në treg”, tha Barani.

Ndërkaq, Sabedin Uka, njëri nga personat që ka pësuar rëndë nga masakra, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shteti duhet të bëj më shumë për ta, pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.

“Duhet të përkujtohet kjo ngjarje denjësisht, me qëllim që gjeneratave të reja t’u tregohet se çka ka bërë armiku ndaj popullatës së pafajshme shqiptare. Unë jam i gjymtuar tek këmba dhe për mu është shumë pak 130 euro që e marr një social si invalid civil. Ajo ditë ka qenë e tmerrshme. Kam qenë kalimtar rasti dhe u bëra viktimë e asaj masakre të tmerrshme.”, ka thënë Uka.