Haliti: Shqipëria ndihmoi Kosovën për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare

17.10.2016 16:25:05

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e ka falënderuar diplomacinë shqiptare, për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës, në anëtarësimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, Haliti tha se anëtarësimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një shans i madh për Kosovën dhe se në këtë rrugë nuk ka munguar përkushtimi dhe angazhimi i Shqipërisë në këtë proces.

“Kosovës i ipet një shans i madh, një mundësi e madhe Parlamentit të Kosovës që të lobojë, të ndërtojë një sistem lobimi në Asamblenë Parlamentare . Dua të them që delegacioni i Shqipërisë , ka qenë i përkushtuar i tëri. Ka ndodh sepse shumë herë nuk marrin pjesë të gjithë anëtarët e delegacionit, por kësaj radhe dhe në takime të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën dhe çështjen e lobimit që kemi bërë, qoftë direkt e drejtpërdrejt, ne si Parlament dhe qoftë delegacioni i Shqipërisë, kemi qenë në union të plotë dhe delegacioni i Shqipërisë, ka qenë tepër i angazhuar. Prandaj erdha që ta falënderoj ambasadorin edhe për ndihmën e tij, që ka bërë në raportet e ndërtuara me delegacionin e Shqipërisë, po në veçanti zonjën Leskaj e cila ka qenë e përkushtuar si në mbledhjet e Byrosë ashtu edhe në mbledhjet në Komisionit për politikë të Jashtme dhe de mokraci dhe në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Haliti.

E ambasadori Qemal Minxhozi tha se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që Kosova të bëjë hapa avancues dhe të jetë e pranishme me të drejta të plota, në organizma të rëndësishëm evropian.

“Unë vlerësoj për së tepërmi bashkëpunimin që ekziston midis legjislativit të Kosovës dhe të Shqipërisë, për probleme me interes të përbashkët, për probleme që kanë të bëjnë me hedhjen e hapave avancues të Kosovës, në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Aq më tepër në Këshillin e Evropës që një organizëm shumë i rëndësishëm për demokracinë. Është një organizëm tek i cili diskutohen tema të rëndësishme e shumë të veçantë. Prandaj ky bashkëpunim, do të vazhdoj edhe në të ardhmen, jo vetëm në Këshillin e Evropës, po në të gjitha organizmat të tjerë Evropiane, që Kosova të jetë e pranishme me të drejta të plota”, tha Mixhozi.

Ndryshe, gjatë punimeve të mbajtura më datën 5 shtator, Byroja e APKE-së, ndër të tjera kishte marrë vendim edhe lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, sipas të cilit parashihet ngritja e nivelit të bashkëpunimit të APKE-së me Kuvendin e Kosovës.

Gjatë Sesionit të Katërt të Rregullt të APKE-së, ky vendim është ratifikuar me shumicë votash. Bazuar në këtë vendim, që nga janari i vitit 2017, Kosova ka të drejtë të caktojë një delegacion të përbërë prej tre 3 anëtarësh pozitë, opozitë dhe minoritet. Për kalimin e këtij vendimi, kundër të cilit krahas Serbisë ishin edhe përfaqësuesit e disa vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderon Valentina Leskajn, përfaqësuese e Shqipërisë, e cila është edhe pjesë e Byrosë të APKE-së, për angazhimin e saj me përkushtim gjatë mbledhjeve të Byrosë, Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.