Hamburgu barazon me Mainz, fiton Frieburgu

07.05.2017 20:38:06

Hamburgu i Mërgim Mavrajt nuk arrin të triumfojë ndaj Mainzit në përplasjen direkte për shmangien e zonës së ftohtë në Bundesligë. Në “Volksparkstadion” të Hamburgut gjithcka u mbyll në barazim pa gola, me të dyja skuadrat që ruajnë statuskuonë me nga 34 pikë, në vendet 15 dhe 16, por Mainzi ka avantazhin ndeshjeve direkte dhe të golaverazhit të përgjithshëm. Mainzi iu afrua golit që në minutën e 11 me Yoshinori Muto, ndaj goditjes së të cilit ndërhyri portieri Mathenia. Nga të vetmet raste për Hamburgun në këtë ndeshje spikat ai i minutës së 77-të, kur goditja e Kostic gjen në pozicion portierin e Mainzit Huth. I pafat Jean-Philippe Gbamin në ekzekitimin e një goditjeje të lirë që përfundon ngjitur me shtyllën.

Niederlechner rezultoi vendimar në fitoren 2-0 të Frieburgut ndaj Schalke 04. Sulmuesi 26-vjecar shënoi një dygolësh që në pjesën e parë për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij, që me këtë trepikësh i merr vendin e tretë Herthes së Berlinit. Në minutën e 22 Niederlechner gjeti hapësira në zonën kundërshtare duke mos i dhënë asnjë shans portierit Fahrmann. Sapo kaloi gjysmë ore lojë i njëjti autor realizoi të dytin personal dhe të fundit të sfidës me 11-metërsh, me rezultatin që nuk ndryshoi më as në pjesën e dytë. /supersport.al/