Hapet panairi dyditor i veshjeve tradicionale në Malishevë (Foto)

01.08.2016 12:03:00

Sot në Malishevë është hapur panairi dyditor i veshjeve tradicionale shqiptare dhe i prodhimeve ushqimore tradicionale, në të cilin po marrin pjesë shoqata dhe individ, të cilët merren me zejen e vjetër të trashëgimisë kulturore shqiptare, sikur edhe me ushqimet tradicionale.

Ky panair mbahet në kuadër të shënimit të “Ditëve të Diasporës” dhe në Malishevë organizohet krahas festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, që gjithashtu fillon sonte.

Panairin e ka vizituar edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Mazreku dhe drejtorët e drejtorive. Begaj i ka përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë panair, për punën që e bëjnë, në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Përndryshe, panairi i veshjeve tradicionale dhe i ushqimeve dhe prodhimeve vendore, është tradicional në Malishevë dhe mbahet më 1 dhe 2 gusht, në kuadër të shënimit të Ditëve të Diasporës.

Panairi dhe aktivitetet e tjera, në kuadër të shënimit të Ditëve të Diasporës, organizohet nga Komuna e Malishevës, përkatësisht Dretjoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS). Me këtë rast, edhe drejtoresha e DKRS-së në Malishevë, Blerta Krasniqi, i ka uruar dhe përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë panair, për punën e tyre, në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë sonë kulturore.