Hapja e negociatave, Rama i kërkon “votën” në Nju Jork homologut grek

23.09.2019 15:07:48

Zërat për një takim të mundshëm të kryeministrit Rama me kryeministrin grek Mitsotakis, duket se tashmë janë bërë zyrtarë. Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se Rama dhe Mitsotakis do takohen në Nju Jork, atje ku ndodhen bashkarisht në takimin e përvitshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Të dy kryeministrat do të bisedojnë për hapjen e negociatave, pas një skepticizmi të deklaruar nga shefi i qeverisë greke dhe vendosjes prej tij të disa kushteve, që më së shumti kanë të bëjnë me të drejtat e minoritetit.

Disa ditë më parë nga Selaniku Mitsotakis ka paralajmëruar Tiranën se Greqia do të bllokojë fillimin e negociatave të Tiranës me BE nëse qeveria shqiptare nuk tregon me vepra se respekton të drejtat e minoritetit kombëtar grek.

Qeveria Mitsotakis ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Ballkan dhe cilëson të rëndësishëm momentin politik deri në Tetor kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin datën për fillimin e këtyre negociatave.

Në këtë kuadër po punohet njëkohësisht edhe për një takim midis kryeministrit grek Mitsotakis dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zaev, takim që pritet me interes të jashtëzakonshëm, pasi konservatorët grekë deri para zgjedhjeve të korrikut cilësonin Marrëveshjen e Prespës tepër të dëmshme për Greqinë, ndërsa tashmë kërkojnë nga Shkupi zbatimin e saj të rreptë si kusht për dritën jeshile drejt Europës.