Haradinaj: Aktakuzat eventuale nuk guxojnë të shndërrohen në front për goditjen e vlerave të UÇK-së

31.10.2016 15:55:07

Sipas Haradinajt, UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare dhe të drejtë, dhe përpjekjet për të demonizuar këtë luftë, janë përpjekje të orientuara kundër Kosovës dhe lirisë së saj.

“Aktakuzat eventuale ndaj ish drejtuesve apo ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk guxojnë të shndërrohen në një front për goditjen e vlerave të luftës dhe UÇK-në, si shtyllë kryesore e kësaj lufte”, thuhet në reagimin e liderit të AAK-së.

“Prandaj unë dhe AAK si strukturë politike, jemi për shtet ligjor dhe për bashkëpunim pa kushte me drejtësinë, për zbardhjen e të gjitha krimeve të pretenduara, qoftë para, gjatë, apo pas luftës në Kosovë”, shtohet më tej në reagim.

Ish-komandanti në Zonën Operative të Dukagjinit i UÇK-së ka thënë se nëse shqetësimi se drejtësia në Kosovë është e kapur është i bazuar, shteti edhe mund të ndërhyjë në krijimin e një sistemi të pavarur të drejtësisë, por jo të ndërhyjë në vet sistemin gjyqësor.

“Moskrijimi i një sistemi efikas gjyqësor në Kosovë, është përgjegjësi e institucioneve të shtetit, ndërsa ndikimet në këtë sistem të drejtësisë, kanë imponuar projektet ndërkombëtare për krijimin e gjykatave të specializuara, apo edhe të mekanizmave të tjerë jashtë sistemit të gjyqësor të Kosovës. Pavarësisht zhvillimeve rreth kësaj çështjeje, unë shpreh bindjen time të plotë, se lufta e fundit e një populli për liri dhe e UÇK-së si prijëtare e saj, pas këtyre proceseve do të dalë më e pastër dhe më e shenjtë!”, përfundohet në reagimin e Ramush Haradinajt