Haradinaj arsyetohet për tërheqjen e platformës nga Kuvendi

05.06.2018 15:58:22
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rradhës së saj.

Në përfundim të kësaj mbledhje, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka dhënë edhe arsyet se pse është tërhequr nga rendi i ditës së seancës së Kuvendit, platforma për finalizimin e dialogut Kosovë- Serbi.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për arsye se ka vërejtur një interesim të madh të spektrit politik për debat në lidhje me këtë çështje, dhe duke dashur t’i jipet kohë propozimeve të tyre, kjo pikë është tërhequr.

“Sot kam tërheq platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë për arsye se duke vërejt një interesim të madh për debat është dashtë me i dhanë kohë këtij debati, me këtë ne i japim kohë spektrit politik që të vijnë me propozimet e tyre”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj po ashtu tha se Kosova ka nevojë për një përfaqësim gjithëpërfshirës dhe se tërheqja nga shqyrtimi e kësaj platforme është një veprim i duhur.

Ai shtoi se dialogu nuk është një detyrë vetëm e Qeverisë, mirëpo është edhe e Parlamentit.

“Dialogun nuk e mendojmë si detyrë vetëm të Qeverisë, ajo është detyrë edhe e parlamentit, ka pasë kritika të mëdha në Parlament se Qeveria po e merr eksluzivitetin por nuk qëndron ashtu”, përfundoi Haradinaj.

Ndryshe, Platforma Shtetërore për Dialogun me Serbinë ishte planifikuar që të shqyrtohej  qysh në seancën e djeshme, mirëpo një gjë e tillë është tërhequr sot nga i pari i Qeverisë./