Haradinaj del sot para gjykatës franceze

12.01.2017 10:28:12

Një gjykatë në Francë pritet që të fillojë sot një seancë të re dëgjimore për rastin Haradinaj, pas paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga autoritetet e Serbisë dhe një kërkese të palës mbrojtëse për lirimin e tij.

Gjykata mund të marrë një vendim gjatë ditës për Haradinajn përfshirë edhe lirimin me kusht deri në përfundimin e procedurave gjyqësore, duke e mbajtur atë në shtetin francez, thonë zyrtarët mbrojtës të tij.

Autoritetet e drejtësisë në Serbi dorëzuan dy ditë më parë kërkesën për ekstradim të zotit Haradinaj me, siç thanë, akuzat e reja për “krime lufte në Kosovë në fundvitet e 90-ta ndaj popullsisë joshqiptare”.

Pala mbrojtëse ndërkaq ka kërkuar lirimin e Haradinajt bazuar në “gjykimin e përfunduar në Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi që ka trajtuar çështjet” që siç thotë “pretendon pala serbe”.

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe.