Haradinaj: Edhe me m’i ngjallë vëllezërit e vrarë, nuk kisha pranu ndihmë nga Serbia

18.04.2020 17:53:01

Pas njoftimit se Qeveria e Kosovës ka pranuar donacion njëmijë teste për COVID-19, ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.

Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook thotë se nuk do ta pranonte ndihmën e Serbisë edhe sikur t’ia kishte ngjallur dy vëllezërit e vrarë në luftë, Luanin e Shkëlzenin.

Sipas tij është inat se si Mali i Zi e refuzoi ndihmën e Serbisë, ndërkaq Kosova e pranoi.

“Edhe me m’i ngjallë vëllezërit s’ja kisha pranu ndihmën Serbisë. Vrasje e masakra që ndodhën ndër vite, s’guxojmë t’i kalojmë. Inati po m’vjen që malazezët refuzuan e Kosova e pranon ndihmën e gjakatarëve!”, ka shkruar Haradinaj.

Për testet në fjalë mbrëmë Kurti e quajti gjest të vullnetit të mirë, derisa nuk kishte njohuri nëse ato kishin ardhur për Kosovën apo siç e quajnë serbët “Kosova i Metohija”.