Haradinaj: Është vlerë njerëzore të respektohet gjuha e tjetrit

04.05.2018 10:04:34

Republika e Kosovës ka kornizën më të avancuar ligjore në fushën e të drejtave gjuhësore. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve përcaktojnë që gjuha shqipe dhe serbe gëzojnë statusin e barabartë të gjuhëve zyrtare, përderisa gjuhët e komuniteteve tjera si gjuha boshnjake, turke dhe rome gëzojnë statusin e gjuhëve zyrtare dhe gjuhëve në përdorim zyrtar në komuna.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e Konferencës së pestë vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve të Gjuhëve, organizuar nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët pranë Zyrës së Kryeministrit, me temën  “Shumëgjuhësia: vlerë dhe/apo obligim”.

“Kosova është specifike për sa i përket gjuhëve dhe ka dygjuhësinë zyrtare. Pra Kosova është një prej vendeve që i ka dy gjuhë zyrtare, gjuhën shqipe dhe atë serbe. Gjuha serbe, si gjuhë zyrtare në zbatim ka disa vështirësi, pra me Kushtetutë, me ligje është gjuhë zyrtare, por që në zbatim ka disa vështirësi. Ato vijnë edhe në përkthim, në përgatitje të legjislacionit me kohë dhe veçanërisht në komunikim në të gjitha nivelet”, tha Haradinaj, duke theksuar se Qeveria vazhdon t’i jap mbështetje angazhimeve të Komisionerit për Gjuhët në Kosovë.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se është vlerë njerëzore të respektohet gjuha e tjetrit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë disa iniciativa në mënyrë që të zbatohet Ligjit dhe të arrihet liria e gjuhëve. Aktualisht është duke u punuar në koncept dokument për formimin e njësisë për përkthime, njësi kjo që do të udhëheqë procesin e përkthimit të legjislacionit qysh nga faza e parë e përgatitjes dhe do të përfshijë redaktimin dhe lekturimin, si përpjekje që të arrihet standard më i lartë i përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit shumëgjuhësh në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj shtoi se Qeveria ka përgatitur dhe aprovuar planin aksional për adresimin e rekomandimeve të raportit të vendit 2018 të Komisionit Evropian, i cili ndër të tjera parasheh edhe miratimin e strategjisë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore.

Në këtë konferencë ndërkombëtare që organizohet për të 5-in vit radhazi, morën pjesë Slavisha Mladenovic, komisionieri i Gjuhëve në Kosovë, komisionerë nga vendet të ndryshme të botës, si dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.