Haradinaj: Kurti e Osmani janë “axhami politikë”, e ofertuan herët heqjen e taksës

08.03.2020 13:55:37

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka vlerësuar “axhami politikë” kryeministrin Abin Kurti dhe kryekuvendaren Vjosa Osmani, të cilët ka thënë se e kanë ofertuar gabimisht dhe para në kohë heqjen e taksës.

Për këtë arsye AAK ka propozuar një Konferencë për Kosovën, ku do të bisedonin liderët politikë të vendit.

Gabimet e Kurtit dhe Osmanit kanë bërë që ata të mbesin jashtë procesit të dialogut, dhe Thaçi tashmë po bën marrëveshje të panjohura, ka thënë Haradinaj, thuhet në një njoftim të AAK-së.

“Zotni Kurti dhe zonja Osmani, janë axhami politik. Ata e kanë ofertu para kohe heqjen e taksës. E kanë dorëzu krejt procesin tani te Thaçi, edhe kuptohet nuk gjejnë tani rrugë tjetër por shkojnë e fshehen në kornizën e BE-së, që është një gabim klasik”, ka thënë Haradinaj.

Haradina ka thënë se është e domosdoshme një konferencë e brendshme përpara se të ndodh ndonjë takim i rëndësishëm për Kosovën, jashtë Kosovës.

“Për këtë arsye, për me u korrigju këto veprime të gabume, që kanë ndodh deri sot, është e nevojshme një konferencë në Kosovë, para se me na ndodh një takim i madh jashtë. Duhet me u ulë kryetarët e partive politike”, ka theksuar Haradinaj.