Haradinaj: Me ligjin e ri të gjitha lojërat e fatit do të mbyllen, përveç Lotarisë së Kosovës

26.03.2019 16:39:27

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka miratuar ligjin për mbylljen e lojërave të fatit.

Ai theksoi se në pushtet kanë ardhur “t’i ndalin disa punë”.

“Ne kemi votuar ligjin të ndalen lojërat e fatit në Kosovë. Lotaria e Kosovës mbetet pasi që është publike, ndërsa të gjitha lojërat e fatit ndalen. Ata që kanë qenë në pushtet nuk e di pse nuk e kanë kryer këtë punë. Kam thënë që kur të vijmë në pushtet do t’i ndalim disa punë”, ka thënë Haradinaj.

Ndër të tjera, Haradinaj, ka theksuar se punëtorët që kanë punuar në këto lojëra të fatit janë të gatshëm t’i trajtojnë, por sipas tij me mundësi të kufizuara.

“Çdo ligj e ka koston e vetë financiare. Edhe kalkulimet se çka ndodhë me atë pare nëse nuk përfundon në këto lojëra. Ajo pare qarkullon prapë në vend, sa i përket vendeve të punës jemi të gatshëm t’i trajtojmë të gjithë ata që kanë punuar, por mundësitë janë të kufizuara. Kemi pasur shqetësim nga këta njerëz për vendet e tyre të punës, por pasojat e këqija kanë qenë më të mëdha se sa të mirat”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit. Ky projektligj tani do të shkojë në Kuvend.