Haradinaj në Istog takon veteranët, viziton edhe Banjën e Pejës

20.01.2021 19:46:24

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit edhe kandidat për president në zgjedhjet e parakohshme, Ramush Haradinaj sot ka vizituar dy nga zonat e Dukagjinit, Pejën dhe Istogun.

Haradinaj përmes rrjetit social Facebook ka treguar se ne Istog kishte takuar veteranët e luftës.

“Së bashku në luftë, së bashku në paqe”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se vizioni i Aleancës është rritja e kapaciteteve të sigurisë në vend.

“Vizioni im për rritjen e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë dhe rruga e saj drejt NATO-s, po përkrahet maksimalisht nga veteranët.
Aleanca ka qenë gjithmonë pranë kategorive të lirisë, me mbështetje jo vetëm morale por edhe me punë konkrete për të lehtësuar jetën e tyre.” ka thënë tutje Haradinaj në Istog.

Ndërkohë, Haradinaj ka shpalosur vizionin e tij për ekonominë edhe në Banjën e Pejës, të cilën sot e ka vizituar.

“Programi i Aleancës për Ekonominë, parasheh fondet që do të mbështesin secilin punëdhënës në Kosovë, në mënyrë që askush të mos e humbasi punën, për shkak të gjendjes pandemike që po vazhdon. Banja e Pejës, ka një rëndësi historike që nga Antika. Me mijëra njerëz kanë gjetur shërim, falë ujit termo-mineral që buron aty” tha Haradinaj.