Haradinaj: Në planin e jashtëm politika e Kosovës është unike

23.07.2018 14:03:25

Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një vizite pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku është pritur nga zëvendëskryeministri/njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, me bashkëpunëtorë.

Sipas një njoftimi, me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka ofruar mbështetjen e tij për projektet dhe planet konkrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke thënë se së bashku me zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme, kanë punuar shumë rreth politikës së jashtme të Kosovës, duke e konsideruar politikën e jashtme temë mjaft të rëndësishme për Kosovën.

“Kemi filluar punën si Kosovë në planin e jashtëm të sfiduar në planin politik, të sigurisë, por edhe në atë ekonomik. Beteja diplomatike për Kosovën është bart edhe te shumë vende të largëta rreth njohjeve. Po ashtu, kemi vështirësi të tjera edhe në regjion dhe në integrimet euroatlantike, pra, jemi shumë të sfiduar në planin e jashtëm”, citohet të ketë thënë Haradinaj, duke shtuar se përkundër faktit që janë të sfiduar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ministri Pacolli, kanë bërë punë të mrekullueshme dhe nuk kanë lejuar prapësimin e pozicionit të Kosovës në planin diplomatik, edhe në ato vende të largëta ku ka qenë një target i oponentëve tanë.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se kanë plane dhe projekte konkrete dhe sa herë që ka lajme pozitive do t’i bëjnë të njohura për publikun, siç ishte lajmi për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, duke i siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës, se në planin e jashtëm politika e Kosovës është unike.

“Nga ana e tij, zëvendëskryeministri/njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duke e cilësuar shumë të rëndësishme vizitën e parë të kryeministrit Haradinaj, për të dhe ministrinë të cilën ai e udhëheq, e informoi kryeministrin për të gjitha punët që janë bërë gjatë kësaj periudhe, si dhe për angazhimet e diplomacisë kosovare në çështjen e lobimit për shtimin e njohjeve të reja, rregulloren e re të MPJ-së, bashkëpunimet bilaterale, multilaterale dhe rajonale, integrimet euroatlantike, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në UNESCO, INTERPOL si dhe sfida tjera me të cilat është duke u përballur kjo ministri”, thuhet tutje në njoftim.

“Po ashtu, zëvendëskryeministri/njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka informuar kryeministrin Haradinaj, rreth procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore, kryesimin e së cilës vitin tjetër do ta marrë Republika e Kosovës”, përfundohet në njoftim.