Haradinaj përshëndet përafrimin LVV-LDK, thotë se tejzgjatja e procesit për ndarje të posteve shpërfaq mashtrimin e Kurtit

01.02.2020 23:50:03

Pas raportimeve për përafrim të marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur si lajm të mirë përafrimin e tyre, duke thënë se tashmë është e domosdoshme që sa më parë të formohet qeveria.

“Lajmi që i gjithë procesi negociues është përmbyllur me dakordim nga LVV dhe LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor. Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë”, shkruan Haradinaj.

Më tej ai ka theksuar se vendin e presin shumë punë, dhe sipas tij zgjatja e procesit të koalicionit mes LVV-LDK-së, është mashtrim, duke e apostrofuar kështu, kreun e LVV-së, Albin Kurti.

“Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tej zgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër”, ka thënë Haradinaj.