Studentja shqiptare mbërrin me avion ushtarak nga Wuhani në Ankara – ndodhej...

Studentja shqiptare mbërrin me avion ushtarak nga Wuhani në Ankara – ndodhej në zonën ku u shfaq coronavirusi

01.02.2020 22:45:51

Silva Doçi, studentja shqiptare e cila kishte mbetur e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në qytetin Wuhan, është evakuuar.

Sipas njoftimit të ministrisë së jashtme, studentja ka kryer të gjitha testet për koronavirusin dhe ka dalë negative.

Largimi i saj është kryer në bashkëpunim me autoritetet turke.

“ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan. Pala turke u dakordësua që studentja Silva Doçi të udhëtojë në avionin ambulant turk”.

Së bashku me 45 shtetas turq që jetonin ën Wuhan, studentja shqiptare do të qëndrojë  në karantinë për 14 ditë.

“Çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t`i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm. Për këtë fazë evakuimi, Ministria e Jashtme zhvilloi kontakte të pandërprera me Ministrinë e Jashtme turke, me qëllim vijimin e regjimit të karantinës së studentes shqiptare në Turqi”.

Pas qëndrimit në karantinë, studentja Silva Doci do të lejohet të udhëtojë drejt Shqipërisë pranë familjes së saj.