Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, afati ligjor për konstituimin e këtij institucioni vazhdon deri në javën e parë të muajit gusht.
Edhe zyrtarët e Kuvendit të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se Administrata e Kuvendit të Kosovës është e gatshme kurdo që i kërkohet ta përgatisë seancën konstituive. Sipas tyre, pasi Presidenti të thërras seancën konstituive të Kuvendit, do të bëhet edhe regjistrimi i deputetëve të rinj dhe mund të zgjas dy deri në tre ditë.
Anëtarët e Kryesisë së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se koalicioni parazgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën dhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë brenda afatit kushtetues e ligjor për krijimin e Qeverisë së Kosovës.
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet që Presidenti [Hashim Thaçi,] në kuadër të kompetencave që ka, brenda afateve kohore të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe menjëherë pas saj të procedohet edhe me votimin e Qeverisë.
“Ne po besojmë që Presidenti i vendit do ta thërras shumë shpejtë seancën e Kuvendit, ndoshta do ta thërras brenda kësaj jave, që eventualisht ajo të mbahet brenda kësaj javë ose në javën që vjen”, tha Nitaj.
I nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj nga koalicioni PAN në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pati deklaruar se në javën e parë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta formojë Qeverinë e re.
Nitaj, megjithatë shpjegon se janë disa procedura ligjore që duhet respektuar, duke nënvizuar se kjo çështje nuk ka të bëjë me vonesa.
“Nuk është çështja në vullnetin dhe gatishmërinë e të nominuarit për kryeministër, zotit Haradinaj, por ka disa procedura që janë çështje e organizimit të brendshëm të Kuvendit të Kosovës. Në fakt, aktualisht ‘topi’ është duart e Presidentit të vendit, i cili mund ta shfrytëzojë afatin e tij kushtetues kohor dhe ta thërras seancën e Kuvendit brenda afatit”, tha Nitaj.
Me konstituimin e Kuvendit, bëhet verifikimi i mandateve dhe zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të propozohet nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma). Po ashtu, do të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të cilët do të përbëjnë Kryesinë e re të këtij institucioni.
Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga Presidenti i Kosovës. Pjesë e Qeverisë, sipas Kushtetutës, do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve