Haradinaj-Stublla kërkon që Irlanda të përkrahë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë

16.09.2020 13:12:08

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Republikës së Irlandës, Simon Coveney.

Kryediplomatja Haradinaj Stublla, pasi shprehu mirënjohje për Irlandën si pjesë e grupit të parë të shteteve që kanë njohur Kosovën në ditët e para të shpalljes së pavarësisë, e njoftoi ministrin Coveney për marrëveshjen e Uashingtonit, dhe kërkoi që edhe Irlanda të përkrahë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues si epilog përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ministri Coveney më konfirmoi përkrahjen e fuqishme të Irlandës për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se anëtarësimi në BE do të ketë efekt të fuqishëm transforumes dhe ndikim të madh stabilizues në rajon. U pajtuam që të thellojmë bashkëpunimin bilateral për të forcuar lidhjet tona politike e ekonomike, dhe të orientojmë rininë e Kosovës drejt BE-së – në shtëpinë e tyre natyrale, gjeografike e politike”, tha Haradinaj Stublla.