Haradinaj: Taksa deri në njohje–Kur deshëm ta rrëzonim Specialen nuk iu interesonte raporti me SHBA-të

30.01.2019 14:21:05

Haradinaj, ka folur sot sërish për taksën ndaj produkteve serbe dhe raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj në akademinë përkujtimore në 22- vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Junik ka komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli që taksa ndaj Serbisë të suspendohet për 120 ditë.

Ai tha se sot po bëhet thirrje të ruhet partneriteti me SHBA-të, por nuk është menduar ky partneritet kur kanë dashur ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

“Nëse ne ja çelim derën për 120 ditë nuk kemi nevojë ma me e qitë, se ajo nuk e ka më vleftën e vet. Se ai mall që hyn për ato 120 ditë është këtu për 10 vjet. Është mirë me kanë të sinqertë me miqtë tanë, me Amerikën, me ju tregu po na dhemb, pse po i bëjmë këto. Nuk e kemi prej lazdrimit, kur e kemi pas për veti se iu tutshim Gjykatës Speciale u munduam me e rrëzu ligjin, në Parlament. Edhe unë kam dashur me rrezu dhe nuk na e nijke që thojke amerikani po na e ngulni thikë mbas shpine. Nuk na e nijke për miqësinë dhe të njëjtit njerëz kemi qenë, Hashimi, Kadria, Ramushi, të njëjtë jemi kanë, pesë pare nuk i jepshim. Ata çdo ditë dilshin na bëjshin presion o ma, mos e prekni ligjin na hiç se e kishim për veti. Ne dojshim me rrezu dhe veç nuk i bonëm votat se e kishim rrëzu, nuk jemi mërzitë hiç për miqësinë që sot po dojmë me e rujt”, tha ai.

Haradinaj ka folur edhe për përmbylljen e marrëveshjes Kosovë Serbi, ku sipas tij po përballen me presionin ndërkombëtar që në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia, Kosova të japë një pjesë të territorit në veri, ose të krijohet një Republikë brenda Kosovës.

Ndërsa kryeministri ka ftuar presidentin Hashim Thaçi e kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, kryetarët e partive opozitare Albin Kurtin e Isa Mustafën që të qëndrojnë njëzëri dhe të kushtëzojnë njohjen nga Serbinë përmes taksës, raporton KP.

“Kërkohet me u përmbyllë marrëveshja Kosovë-Serbi dhe është mirë me u përmbyllë. Ne kemi kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Por, ndërkombëtarët na kanë thënë se çka jepni ju me ju njoftë Serbia, vazhdimisht na e kanë bërë këtë pyetje. Ne i kemi thënë se i kemi 20 mijë të dhunuara, persona të zhdukur. Atëherë kanë lyp që ne me dhënë veriun atje që i kemi disa miniera. Dhe kanë thënë jepne ju do tokë se ju njohin, ose nëse nuk jepni tokë jepni një republikë brenda Kosovës, një Zajednicë. Për këtë arsye e mendojmë si send normal se ju e keni pa Amerika dhe Kina tani janë në një luftë tregtare. Tash Anglia po ndahet nga BE. Unë po i luti kolegët e mi, edhe Kadrin, edhe Hashimin, Albinin, Isën, Shpendin nëse na e jep njohjen Serbia po ia kthejmë tregun se ja kemi marrë tregun. Nëse ne duhet me e kthy këtë treg, unë po ta jep tregun ti ama njohjen. Nuk po besoj që po e teprojmë, mua po më vyn njohja shumë ama ta jap tregun”, tha ai.

Kreu i qeverisë ka ripërsëritur se nuk do ta heqë taksën pa njohjen. “Unë nuk kam me ia dhënë tregun Serbisë pa e marrë njohjen, le të dinë të gjithë. Kjo nuk është kundër Amerikës, ne e kemi armik Serbinë. Nuk japim Zajednicë, do të japim treg”, tha ai.