Haradinaj thërret konferencë të jashtëzakonshme në ora 20:00

24.02.2018 18:23:30

Pas arritjes së shumë pritur të konsensusit mes pozitës dhe opozitës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nga ana e LDK-së, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme.

“Kjo konferencë do të mbahet sot, duke filluar nga ora 20:00 në ndërtesën e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrisë.

Nuk është cekur arsyeja e konferencës, mirëpo bëhet fjalë për arritjen e konsensusit mes partive politike për demarkacionin.

Marrëveshja e arritur sot në mes të Kryeministrit Haradinaj, Kadri Veselit, Avdullah Hotit dhe Behgjet Pacollit është mirëpritur nga Natalya Apostolova, presidenti Hashim Thçi, dhe shumë udhëheqës të dikastereve dhe ministra.

Ratifikimi i demarkacionit në seancën e paralajmëruar për të mërkurën pritet ti hap rrugë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.