Haradinaj vlerëson rolin e Iowas në ndërtimin e shtetit të Kosovës

28.09.2018 09:55:27

Kryeministri i  Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qëndruar në Senatin Amerikan, ku ka takuar Senatoren amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.

Në këtë takim Haradinaj ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar Senatoren Ernst për mbështetjen e pa rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në veçanti të shtetit të Iowa-s dhënë Kosovës, në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, të zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

Haradinaj e ka njoftuar Senatoren Ernst për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë, për sundimin e rendit dhe ligjit, për hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit, për përmbushjen e Agjendës së Konsolidimit ndërkombëtarë të vendit dhe reformave të gjithanshme në funksion të përmirësimit dhe të rritjes së mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

“Marrëdhënia bilaterale që Kosova e ka me shtetin e Iowa-s, është dëshmia më e mirë e miqësisë së përjetshme që Kosova e ka me ShBA-të. Jemi falënderues për përkrahjen që kemi nga populli dhe institucionet amerikane. Ky raport duhet të intensifikohet me bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe ekonomisë”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast, ka ripërsëritur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të përfshira në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obliguese për të dy vendet, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon.

Duke vënë theksin në fushën e zhvillimin ekonomik, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka krijuar ambient të përshtatshëm për investimet e huaja direket, ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike, ka krijuar zona të lira ekonomike në të gjithë vendin.