Kryetari duket se në fund të mandatit ka gjetur zgjidhje
“Mbushim ujë në Lubeten, në bjeshkë, nëpër çezma në Hasanbegë, se këtu ujë për pije nuk kemi. Ne gjithmonë kemi përdor bunarët por edhe për ujin e bunarëve na thonë që nuk pijet”, tha banori Zaim Selim.
Gjysma e Haraçinës në pikë të verës, po përballet me mungesën e ujit të pijshëm. Drejtori i ujësjellësit në këtë komunë, po përballet me të njëjtin problem për më shumë se tetë vite. Nexhat Aliu, thotë se ky problem paraqitet gjithmonë gjatë stinë së verës, por thekson se kjo ndodh edhe për shkak të keqpërdorimit të ujit nga banorët, të cilët i ujisin arat.
“Problem me ujin kemi, unë jam prej 8 vitesh këtu, çdo stinë të verës kemi problem me ujin që donë të thotë 3-4 muaj kemi shumë problem. Kurse e para pikë është që po keqpërdoret dhe e dyta me një bunarë me një pompë nuk mund të furnizohet një fshat me 20 mijë banorë”, tha Nexhat Aliu, drejtor i ujësjellsit në Haraçinë.
Megjithatë ka edhe një lajm të mirë për banorët e Haraçinës. Kryetari i komunës, si duket në fund të mandatit ka gjetur zgjidhje.
“Po jam në bisedime me kryetarin bash sot kemi biseduar që brenda kësaj jave do ti hapim dy bunarë, ku brenda kësaj jave do të fillojmë me punë. Dhe sa kamë unë informata prej kryetarit brenda një muaji pritet të ketë zgjidhje”, shtoi drejtori Aliu.
Komuna nuk ka bërë hulumtimet e duhura para se të hapë bunarin, por mbështeten tek përvoja dhe njohja e mirë e terrenit nga vet drejtori. Autoritetet komunale nuk kanë bërë as inspektimet e duhura për të konstatuar se a do të jetë uji i pijshëm që do të dalë nga këto bunarë. Hapja e një bunari kushton më shumë se 1000 euro, kurse as vet drejtori, Nexhat Aliu nuk është i sigurt se hapja e bunarit do të sigurojë ujë të mjaftueshëm për banorët.






































