Harta të shqyera në Departamentin e Gjeografisë

11.12.2016 12:00:44

Studentët e Departamentit të Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës po përballen me mungesën e mjeteve që u duhen për studim dhe me gjendjen mjeruese të atyre ekzistuese.

Fotografi të dërguara në mënyrë anonime në KALLXO.com tregojnë për gjendjen e mjeteve dhe hartave në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore.

Shumë prej hartave që përdoren nga studentët e këtij departamenti janë të shqyera, të vjetra apo të shkruara në gjuhën serbe.

Gjendjen e keqe të hartave dhe mjeteve tjera të nevojshme për punën e studentëve e konifirmoi për KALLXO.com edhe dekani i FSHMN-së, Tahir Arbneshi, duke ia atribuuar fajin mungesës së buxhetit.

Sipas Arbneshit, buxheti i fakultetit ndahet në departamente sipas nevojave dhe prioriteteve dhe deri më tani nuk ka qenë e mundur të ndahet ndonjë pjesë për rekuizita.

“Sigurisht që jemi në dijeni, jo vetëm për këtë, por edhe për shumë të tjera që nuk janë në nivelin e duhur, por çka të bëjmë më parë me një buxhet të limituar,” tha dekani Arbneshi për KALLXO.com.

harta4

Ai gjithashtu pranoi se përgjegjësia për sigurimin e këtyre mjeteve bie mbi dekanatin, por theksoi se problemet janë trashëguar ndër vite në këtë fakultet.

“Sigurisht se edhe unë mbaj përgjegjësi, por gjendja e krijuar në fakultetin tonë me vite të tëra vështirë se mund të përmirësohet dukshëm me një buxhet vjetor çfarë marrim na”, deklaroi Arbneshi.

Sipas raportit që ka ardhur, përveç hartave mungojnë edhe globet dhe rekuizitat tjera të nevojshme për studime në këtë department.