Hasan Preteni kërkon të anulohet një tender i kundërligjshëm i Ministrisë së Infrastrukturës

04.08.2016 17:44:16
Agjencia Kundër Korrupsionit në krye me Hasan Pretenin po dyshon që Ministria e Infrastrukturës e ka kurdisur një tender në fazën e shpalljes së tij. Bëhet fjalë për tenderin e vlerës së madhe “Rehabilitimi i Rrugës Lipjan-Magua L-9280m”.
AKK-ja pretendon që prokurimi i Ministrisë ka përdorur kritere diskriminuese kur e ka shpallur këtë tender, rrjedhimisht ia ka përshtatur kriteret kompanive të mëdha, ndërkohë që ka përdorur kritere diskriminuese për të eliminuar kompanitë më të vogla, raporton lajmi.net.

“Pas analizimit te njoftimit për kontrate, Agjencia ka vërejtur se tek rubrika 111.2.4. e kapacitetit teknik/profesional, pika 8 është kërkuar qe Operatorët ekonomik duhet to dëshmojnë se mesatarja e të punësuarve ne tri vitet e fundit (2013,2014,2015) duhet të jetë mesatarisht 100 të punësuar, ndërsa si dëshmi dokumentare ka kërkuar listën e pagave te kompanive te lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, kërkese që bie ndesh me nenin 69 te Ligjit ne fuqi për Prokurimin Publik. Sipas dispozitave to Ligjit ne fuqi për prokurimin publik dhe Udhëzuesit Operativ për prokurimin publik, Autoriteti kontraktues mund to kërkoje minimumin e mesatares se fuqisë punëtore dhe stafit menaxheria për secilin nga 3 vitet e fundit, ku si dëshmi mund to kërkoje një deklarata apo raport për fuqinë mesatare punëtore dhe numrin mesatar te personelit udhëheqës to operatorit ekonomik për secilin nga tri vitet e kaluara”, thuhet në opinionin e AKK-së.  Agjencia kundër Korrupsionit konsideron se një kërkesë e tillë e vendosur nga Autoriteti kontraktues është diskriminuese dhe nuk u mundëson Operatorëve tjerë të cilët kanë një numër minimal të fuqisë punëtore të ofertojnë për ketë kontratë.

“Duke caktuar një kufizim të tillë Autoriteti kontraktues favorizon vetëm Operatorët ekonomik të cilët kanë këtë numër të të punësuarve ose më tepër dhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët tjerë të cilët kanë një numër të kënaqshëm të të punësuarve. Duke caktuar një kërkesë të tillë Autoriteti kontraktues ka shkelur nenin 7 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, ku sipas këtij ligji thuhet se “Autoriteti Kontraktues nuk do te krijoje ose imponojë dhe do te marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar krijimin ose imponimin e rrethanave ose kushteve që rezultojnë në diskriminim territorial, fizik, material, personal ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomik””, bënë të ditur AKK-ja.

Gjatë analizimit të dosjes së këtij tenderi dhe krahasimit me njoftimin për kontratë e cila është përgatitur nga ana e Autoritetit kontraktues, Agjencia ka vërejtur se këto dy dokumente nuk janë identike njëra me tjetrën më saktësisht në lidhje me pikën 8, të rubrikës kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale të njoftimit për kontratë është kërkuar që kompania garuese duhet të dëshmojnë se mesatarja e të punësuarve në tri vitet e fundit (2013,2014,2015) duhet të jetë mesatarisht 100 të punësuar, ndërsa në dosjen e tenderit nuk ekziston fare një kërkesë e tillë. Andaj, sipas Kundërkorruptonit, duke vepruar në këtë mënyrë prokurimi i ministrisë krijon pa barazi dhe diskriminim në mesin e kompanive garuese.

Agjencia  konsideron se shkelje të tilla nuk duhet të lejohen dhe të përsëriten në procedura të prokurimit, andaj ka rekomanduar anulimin e kësaj procedure të prokurimit dhe ka kërkuar nga Autoriteti Kontraktues që t’i shmangët praktikat e tilla në të ardhmen.