Hasani: Pavarësia dhe paanshmëria ndër sfidat e gjyqësorit

03.12.2016 13:22:35

Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani, tha se gjyqësori kosovar po përballet më shumë sfida,  si përmirësimi  i veprimtarisë,  konsolidimi,  rritja e pavarësisë dhe paanshmërisë, lufta kundër fenomeneve korruptive dhe trajtimeve subjektive dhe të njëanshme të çështjeve.

Sipas tij për një gjyqësor më te mirë, duhet angazhim i madh dhe serioz i të gjithë njerëzve brenda sistemit të drejtësisë, por edhe shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ai  gjatë fjalimi të tij në Konferenca e Gjashtë Gjyqësore të Republikës së Kosovës tha se reformat e nisura duhet të vazhdojnë.

“Shpreh shqetësim për gjendjen, dhe kërkoj nga gjithë ju të reflektojmë, si shoqëri, si shtet, pa i hedhur fajin institucioneve individualisht, pasi që me jashtë, por edhe në sytë e qytetarëve tanë ne përceptohemi si një tërësi”.

“Kjo tërësi duhet të vendos për drejtimin që do merr, kjo tërësi duhet të filloj me zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe të balancit të pushteteve; për nevojën e përmbushjes së objektivave që garantojnë rend, ligj, siguri dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim, deri te dhënia e përgjegjësisë për çdo veprim apo mosveprim, në kryerje të funksioneve zyrtare, pa marre parasysh se kush dhe cilin institucion përfaqëson”,tha Hasani.