MASHTI prezanton Platformën e Edukimit të Hershëm, për fëmijët deri në gjashtë...

MASHTI prezanton Platformën e Edukimit të Hershëm, për fëmijët deri në gjashtë vjeç

14.04.2020 15:15:39

Ministrja në detyrë e Arsimit Shkencës dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami në konferencën për medie ka bërë të ditur se tashmë do të jetë në dispozicion Platforma e Edukimit të Hershëm, platformë kjo e cila shërben për mësim të nivelit të nxënësve nga mosha 0 deri në 6 vjeçare.

Kjo platformë, është realizuar në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Shoqatën “Save The Children” në Kosovë.

Bajrami bëri të ditur se kjo platformë do të vendoset në platformën E-Mësimi, ndërsa tha se do të jetë në dispozicion që nga nesër, për prindërit e kujdestarët ligjor të fëmijëve si dhe për edukatorët.

Ajo tha se përmes kësaj platforme do të ndihmohen fëmijët që të zhvillohen në kushte shtëpie, ku ka edhe informata se si duhet të sillen prindërit me fëmijët gjatë kohës së pandemisë.

“Ju bëjmë thirrje të gjithëve që të marrin instruksione, të dëgjojnë përrallat dhe përmbajtjet për aktivitetet ditore. Nga nesër këtë platformë mund ta gjeni te E-Mësimi, poshtë linkut të saj, është kjo platformë. Aty ka aktivitetet ditore, video të ndryshme se si të sillemi me fëmijët gjatë kohës së pandemisë dhe mundësitë për të biseduar me ekspertë, psikolog e pedagog të ndryshëm dhe përfaqësues të MASHTI-t, për çfarëdo paqartësie”, tha Bajrami.

Bashkë me Bajramin në këtë konferencë ishin shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Shahin, dhe drejtori i shoqatës “Save The Children”, në Kosovë, Ahmet Krasniqi.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Shahin tha se kjo është një platformë e mrekullueshme të cilën e kanë prakikuar edhe vende të tjera dhe e cila mësohet shumë shpejt.