Hashim Thaçi luftë të fortë të bindë botën se ndarja e Kosovës nuk paraqet rrezik

16.09.2018 11:21:43

Nga Rexhep Kastrati

Pas fazës së parë diplomatike që kishte të bënte me zyrtarizimin e konceptit të ndarjes së Kosovës si zgjidhje reale, Hashim Thaçi ka filluar fazën tjetër: fazën e garantimit dhe të bindjes së bashkësisë ndërkombëtare se ndarja e Kosovës nuk paraqet rrezik për rajonin tonë dhe nuk krijon as efekte zinxhir, as precedent për shtetet tjera të dala nga ish-Jugosllavia.

Kjo fazë, duket se është imponuar për Hashimin pas kundërshtimeve të forta të ndryshimit të kufijve dhe të ndarjes së Kosovës, që bazoheshin edhe në parimet e Badinterit, edhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën, por edhe në frikën se me ndarjen e Kosovës do të hapej rruga për ndarje të Bosnjes, të Maqedonisë etj.

Është për të theksuar se Hashim Thaçi ka angazhuar gjithë aparatin shtetëror që ka të bëjë me politikën e jashtme që të bindë botën se nuk ka rrezik fare nga ndarja e Kosovës, dhe së këndejmi t’i jepte fund kundërshtimit të ndarjes së saj.

Pra, Hashim Thaçi me do çollakë të tij, por edhe me pacollë që i merr mbas vetes kudo ku po shkon, është angazhuar tepër, përkatësisht gjithë energjitë e tij, gjithë marshutat e tij diplomatike brenda e jashtë vendit i ka vënë në funksion të aksionit për të bindur botën që të heqë dorë nga kundërshtimi i ndarjes së Kosovës, duke u shkrirë i tëri në planet serbe për këtë qëllim që janë të vjetra së paku që një çerek shekulli, përkatësisht që nga platforma e Dobrica Qosiqit për ndarjen e Kosovës 60% për shqiptarët, e 40% për serbët.

Si gjithnjë, edhe tash, Hashim Thaçi me një shlirshmëri të hatashme, me një moskokëçarje dhe injorim të plotë të të tjerëve dhe të një opozite të dobët dhe që e kontrollon në mënyrë të plotë, e që është shlirshmëri shumë më e madhe sesa të fliste për tokat e babës Haxhi në Brojë.

Avancimi, nga faza e zyrtarizimit dhe të legalizimit ndërkombëtar të ndarjes së Kosovës, në fazën e garantimit dhe të bindjes së bashkësisë ndërkombëtare se nuk ka kurrëfarë rreziku për rajonin nga kjo ndarje, ndërkaq, është shumë i rrezikshëm dhe që seriozisht po e bën më të qartë se Hashim Thaçi dhe linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbahso-jugosllavokomuniste nuk do të ndalen vetë, por edhe nuk ka kush ta ndalë nga klasa politike!

Prandaj, çdo ditë që po kalon, po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm reagimi qytetar, kundërshtimi i fuqishëm, demokratik, paqësor dhe i kujdesshëm, sepse tashmë vetëm qytetarët janë ata që mund të marrin situatën në dorë, por jo nëpërmjet formave të dhunshme, të përgjakshme, anarkiste dhe destabilizuese, siç janë protetsat dhe format tjera të politikës së rrugës!