Havolli: Demarkacioni u tërhoq, deputetët ishin të kërcënuar

02.09.2016 10:15:46

Shefin e Kabinetit të Kryeministrit Mustafa, Sokol Havolli ka theksuar se arsyet e tërheqjes nga votimi të Marrëveshjes për demarkacioin me Malin e Zi ishin të tjera dhe nuk lidheshin me numrat.

“U tërhoq pas një presioni dhe kërcënimeve të konsiderueshme që janë bërë në drejtim të deputetëve”, ka deklaruar Havolli për Top Channel.

Ai ka theksuar se ratifikimi i demarkacionit është kusht për liberalizimin e vizave dhe se duhet të ndodhë sa më shpejt, ndërsa akuzon opozitën se po e përdor këtë për qëllime politike.

 

“Të gjitha palët janë bindur që demarkacioni është në rregull, por njëra palë dhe një grup i caktuar brenda koalicionit mund të kenë apo shfrytëzojnë këtë për arsye politike. Nuk kemi një datë të saktë, por sapo të krijohen kushtet do të kthehet në Kuvend për t’u ratifikuar. Do të bëhet në një të ardhme të afërt duke patur parasysh që është kriter për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.Sipas shefit të Kabinetit të Kryeministrit, marrëveshja ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa shton se refuzimi i saj mund të prishë marrëdhëniet e mira që Prishtina ka me Podgoricën.