Haxhiu: Greva e kirurgëve në kundërshtim me ligjin

24.01.2019 00:35:34

Deputeti i PDK-së dhe anëtari i Komisionit parlamentar për shëndetësi, Bekim Haxhiu, tha se greva e kirurgëve nuk është në përputhje me ligjin e grevave.

“Ata është dashtë me lexu ligjin e grevave, sepse nëse organizimi i tillë grevist është jashtë organizmit sindikal, atëherë 50 % e tyre duhet me punu, 50 % rrijë me shirita në vendin e punës për të dëshmuar kërkesën e tyre“, tha Haxhiu në emisionin Click të RTV21.tv

Kjo është java e pestë që prej kur kirurgët kanë hyrë në grevë, atyre dje iu janë bashkuar edhe kirurgët vaskularë. Kirurgët po kërkojnë rritjen e koeficientit nga 5 në 10.

Në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë, thonë se kërkesa e kirurgëve është larg realitetit buxhetor në Kosovë.

Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se nuk mund të ketë rritje të pagave në shëndetësi pa u miratuar projektbuxheti për vitin 2019 nga Kuvendi i Kosovës.