Haxhiu mbështet SBASHK-un: Vendimi për të hyrë në grevë është i duhur, duhet ta ketë edhe mbështetjen e prindërve

13.01.2019 19:38:25

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, ka mbështetur, vendimin e SBASHK-ut për të hyrë në grevë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar edhe mbështetjen e prindërve, pasi sipas saj, për këtë nuk janë fajtorë punëtorët e arsimit, por Qeveria e papërgjegjshme e cila e ka thelluar krizën e diskriminimin.

“Në një vend ku numri i ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve, nuk ka tavan dhe ku paga e një këshilltari është disa fish më e lartë se e punëtorëve shëndetësor dhe në këtë rast edhe punëtorëve të arsimit, pakënaqësitë vetëm sa vijnë e shtohen”, shkruan Haxhiu në Facebook.

Ajo thotë se një Qeveri që nuk e qan kokën për dinjitetin dhe mirëqenien e mjekut, mësuesit, por vetëm ka hallin e interesit personal, duhet përgjigjur me grevë.

Këshilli i Prindërve të Kosovës, kryetari i të cilit është Ymret Reshiti, nuk e ka mbështetur grevën e SBASHK-ut.

“Keni dhënë shembull se si vlerësohet interesi i përgjithshëm para interesit personal. Ju mbështesim fuqishëm në të drejtën tuaj për ngritjen e pagave përmes dialogut social. Ju na bëtë krenar të gjithëve me aktin tuaj. Ftojmë mësimdhënësit e shkollave të ndjekin shembullin e shkollës “Elena Gjika” dhe të fillojnë procesin mësimor”, shkruan Reshiti në Facebook.