Haxhiu: Nxënësit po furnizohen me tekste të vjetra, ministri të jap llogari për buxhet

19.09.2016 11:02:51

Komisioni për Arsim ka miratuar Projektligjin për Inspektoratin arsimor, i cili do t’i shkojë Kuvendit të Kosovës për lexim të parë.

Por, në këtë mbledhje nuk munguan vërejtjet në punën e Inspektoratit, për të cilin anëtarët e Komisionit kërkuan që jo çdo ministri duhet të ketë inspektorat, por të formohet një inspektorat i përgjithshëm për të gjitha ministritë, në mënyrë që ministritë të mos kenë ndikim në të.

E vërejtje sa i përket arsimit kishte deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila tha se ky fillim i vitit shkollor ka filluar jo mbarë me furnizim me tekste shkollore.

“Nuk e di ka shkon ai buxhet dhe nxënësit furnizohen shumica me tekste te vjetra. Është me urgjencë të kërkohet nga ministri një llogaridhënie se ku shkon buxheti”, ka thënë Haxhiaj.

Më tej, ajo u ndalë te Agjencioni për Akreditim, për të cilin tha do të duhej të ishte  i pavarur, por nuk është.

Sipas saj, është mirë që Komisioni t’i vizitojë këto institucione dhe t’i shikojë se si funksionojnë.