Haziri dënon rastin e dëmtimit të objektit të xhamisë dhe falenderon policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar

15.08.2016 09:57:09

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka dënuar rastin e dëmtimit të objektit të xhamisë në fshatin Velekincë.

Haziri e ka falënderuar Policinë e Kosovës në këtë komunë për aksionin e suksesshëm në parandalimin dhe arrestimin e të dyshuarit, kryetarin e Bashkësisë Islame, Naim Aliu si dhe imamin e xhamisë, Remzi Halimi dhe banorët e Velekincës.

“Rasti që ka ndodhur në fshatin Velekincë në dëmtimin e kupolës së xhamisë, është një rast që Komuna e Gjilanit e dënon ashpër, sepse raste të tilla nuk i shërbejnë aspak klimës së krijuar për shumë vite në sigurinë publike në Gjilan. Me këtë rast falënderoj Policinë e Kosovës, të gjitha njësitet që kanë intervenuar në këtë rast, për profesionalizmin e treguar dhe për rikthimin e gjendjes nën kontroll dhe krijimin e sigurisë për qytetarët e këtij fshati. Poashtu përkushtimi dhe sjellja e lartë qytetare e civilizuese e kryetarit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, e imamit të xhamisë Remzi Halimi dhe e bashkëpunëtorëve të tjerë, por edhe e banorëve, është për t’u falënderuar, në këto momente të vështira për fshatin dhe për Gjilanin në përgjithësi, është shprehur Haziri.

I pari i Gjilanit gjithashtu ka kërkuar nga qytetarët e gjilanas që ta ruajnë qetësinë dhe gjakftohtësinë.

Motivet e të dyshuarit për të kryer veprën janë ende të panjohura por sipas policisë, i dyshuari kishte probleme psikike.