Haziri: S’ka përçarje në koalicion, topi për Demarkacionin është në Kuvend

14.04.2017 14:49:49

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe lider i Partisë Demokratike Kadri Veseli, sot në mënyrë indirekte i dha ultimatum kryeministrit Mustafa që të merren vendimet, duke aluduar në Demarkacionin, përndryshe siç u shpreh ai është i pakuptimtë koalicioni PDK- LDK.

Veseli deklaroi se nëse Kuvendi nuk arrin të marrë vendimet të mëdha, e që nënkuptohet se e ka pasur fjalën në veçanti për Demarkacionin, sipas tij, koalicioni më nuk ka kuptim.

Por këto deklarata të Kadri Veselit sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, nuk tregojnë për një përçarje në mes të koalicionit qeverisës.

Haziri tha të premten për Express se Qeveria e ka kryer punën e saj sa i përket Demarkacionit, ndërsa tani, sipas tij, mbetet te Kuvendi dhe deputetët e koalicionit që ta çojnë më tutje këtë proces.

“Përkundrazi Qeveria e ka kryer në të dy fazat procesin e Demarkacionit. Edhe në fazën e parë përmes Komisionit Shtetëror dhe është nënshkruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm pra zotëri Thaçi i cili sot është president e pastaj edhe nga Komisioni gjithëpërfshirës për ri-matje dhe konstatim të gjendjes faktike të cilët e kanë kryer punën dhe gjithçka është gati.

Pra Qeveria e ka kryer punën e vetë, tash është në procedurën e dytë për seancë të rregullt”, u shpreh Haziri.

Ai e bëri të qartë se Demarkacioni është çështje që duhet të koordinohet në mes të Qeverisë e edhe Kuvendit, por shtoi se është detyrë e Kuvendit dhe partnerëve të koalicionit që pastaj të punojnë në mënyrë që procesi të shkojë sipas rregullores në fuqi.

I pyetur nëse koalicioni po lëkundet seriozisht pasi vazhdimisht ka deklarata edhe brenda deputetëve të koalicionit që po e thonë diçka të tillë, Haziri tha se nuk ekziston një përçarje në mes të koalicionit dhe se deklarata të tilla janë vetëm individuale.

“Unë nuk jam duke pa deklarata të partive politike kundërthënëse për përçarje koalicioni por më shumë janë të individëve që dalin me deklarata individuale, ndërsa nëse i merr deklaratat e Kryesive dhe partive politike, Këshillave Drejtues të partive politike dhe Organeve të këtyre partive politike shihet qartë se programi qeverisës është interes i përbashkët. Nuk ka diçka tjetër që i mbanë rivalët e mëdhenj në një qeveri të përbashkët”, u shpreh nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Kujtojmë se javën e kaluar kryeministri Mustafa përmendi skandalet e qeverisjes së mëhershme duke akuzuar në këtë mënyrë tërthorazi PDK-në për milionat që siç tha ai po i humb shteti.