Helikopterët në Shqipëri mbushen me ujë në lumë që të shuajnë zjarret

07.08.2017 21:16:20

Shqipëria vijon luftën me flakët që kanë përfshirë vendin prej disa javësh. Nga Jugu në Veri të vendit helikopterët, ushtria, zjarrfikësja dhe banorët janë në operacion për të shuar të gjitha vatrat e zjarrit.

Report Tv ka siguruar disa pamje nga shuarja e zjarreve dhe të një helikopteri, teksa mbushet me ujë në lumë për të fikur vatrat.

Vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra zjarri, në Vlorë, Elbasan, Dibër, Durrës dhe Tiranë.

Emergjencat njoftojnë se ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Sipas tyre, zjarri u vendos nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur dy avionë nga Greqia, që kanë kryer dy hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike.