Hetimet për vrasjen e Enver Kelmendit po zhvillohen në disa pista

14.09.2016 12:30:46

Enver Kelmendi nga Malisheva ishte raportuar nga familjarët si i zhdukur me datën 11 shtator, ndërsa trupi i tij u gjet pa shenja jete të nesërmen (12 shtator).  Rasti ishte cilësuar nga njësitet policore si “vrasje e dyshimtë” pasi në të ishte përdorur forcë me mjet të fortë.

Lidhur me këtë, Lirie Podrimaj, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës ka thënë se janë duke u kryer hetimet nga njësitet përkatëse, pasi që në vendin e ngjarjes janë gjetur prova dhe dëshmi.

“ Janë duke u bë punë intensive në atë drejtim. Jemi tu i prit disa prova, dëshmi që janë gjet në vendin e ngjarjes, ende nuk kemi diçka konkrete”, është shprehur ajo në një prononcim për “Indeksonline”.

Për familjarët e Enverit, vrasja u bë për shkak të parave. Vëllau,  Xhavit Kelmendi kishte deklaruar se Enveri merrej me këmbim të parave dhe natën e zhdukjes ai kishte me vete 30 mijë euro, franga e valuta të tjera.

Sipas Podrimajt, edhe deklaratat e familjarëve janë marrë parasysh dhe janë duke u kryer ekzaminimet.

 

 

Ajo ka thënë se do të analizohen provat e dëshmitë nga vendi i ngjarjes dhe se pret që këto të çojnë në zbulim të rastit.

“Sipas familjarëve thuhet që ai i ka pasur to të holla me vete, por ne pa i bë disa ekzaminime nuk mundemi me dal me ndonjë dëshmi tjetër, pa u analizuar ato prova që janë gjet në vendin e ngjarjes. Nuk mund të thuhet diçka shtesë. Jemi tu punu dhe ma merr menja që ato prova shpresoj që do të na çojnë në zbulim të rastit”, ka sqaruar Podrimaj.