Hiç demokraci, e plot varfëri

22.07.2017 12:06:58
Nga Idriz Parllaku
 Me varfëri plot dhe me hiç demokraci. Ky është rrugëtimi ku kanë mbetur shqiptarët që mashtrohen se po udhëtojnë drejt demokracisë. Këtë e kam parë ashiqare edhe në alla fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Edhe pse në moshë të thyer, dhe pas 19 vjetëve jetesë në Londër, sivjet pata rastin t’a ndjekë fushatën elektorale që bënë subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
U befasova fillimisht kur në fshatin tim të lindjes në Novosej të Kukësit, fasadat dhe muret e avllive ishin mbushur me flamuj të partive politike dhe portretet e kandidatëve garues. Siç ndodh zakonisht me ne emigrantët, ditët e qëndrimit në Atdhe, janë të mbushura me udhëtime dhe takime të ndryshme tek miqtë dhe shokët. E çuditërisht atë që e pashë në Kukës, e ndesha në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Më keq se kaq, problemi ishte se këtë valle të çuditshme nuk po e hidhin veten forcat politike. Në atë valle ishte bashkangjitur gjithë populli i stërvarfëruar, i cili po zvarritet prej 27 vitesh dhe nuk po arrin të dalë nga tuneli i errët ku e ka hedhur pa asnjë dhimbje klasa politike që tashmë i ngjan një monstre të frikshme. Për turp të zotit, politika edhe gjatë atyre ditëve, kur Gallupi evidentoi se vendi ynë po shpopullohet me ritme të shpejta, vazhdonte të broçkullisë fjalë të pakuptimta me të vetmin synim: që shqiptarët e shkretë e të varfër t’ua japin votën njerëzve pa din e pa iman, që t’i kenë ato mbi kurriz si deri tani, që të vazhdojnë të lëvizin në drejtim të paditur e të mos e arrijnë të artikulojnë të vërteta, sesi kanë një klasë politike që duhet hedhur e gjitha tej në gropën e harresës si fajtorja e vetme për gjendjen ku kemi arritur, sa ua kemi kaluar edhe vendeve afrikane për braktisjen e tokës mëmë. Për turp të zotit, kjo me nder me thënë klasë politike hesht për këtë turp që i ka hedhur mbi trup kësaj Shqipërie. Gjatë gjithë asaj fushate elektorale politikanët bërtitën me sa ka zë se po zbatojnë një sërë reformash që do të sjellin ndryshime cilësore. Po shumica e shqiptarëve po shohim se varfëria sa vjen e rritet. Ndërsa reformat e deritanishme kanë sjellë ndryshime vetëm në favor të familjes në pushtet. Aq sa ajo i zgjedh vetë edhe kandidatët për deputetë, të cilët populli është i detyruar t’i miratojë më votë. Një pisllëk ekzemplar alla shqiptar që nuk gjendet kund tjetër. Fitoret në politikë, nuk mbarojnë me fitimin e garës elektorale, po fillojne me mbarimin e saj. Kjo do të ndodhë edhe per “trofeun” e fundit të Partisë Socialiste. Por humbjet, zhgënjimet apo disfatat e Partisë Demokratike i ndjej, përjetoj e vuaj deri në dhimbje politikisht dhe intelektualisht, pavarësisht distancës në kohë e gjeografi për ndonjë kontribut efiçent. Në disa nga lojrat popullore, fituesi e ka kënduar humbësin, e ka masakruar me ironi, përqeshur, tallur deri ashpër brenda vokacionit të lojës. Pala humbëse, ulte kryet e thartonte turinjtë, “destabilizohej” ose gjithçka e merrte me autoironi e sportivitet, ndërsa mejtohej ku është gabuar, që të permirësohej për sfidat e radhës. I dëgjoj, i lexoj me respekt të gjithë miqtë e mi socialistë, po dhe votues të vetëdeklaruar të “socializmit,” të cilët duke qënë anëtar a simpatizantë i atij formacioni politik, kanë radhën e festimeve. Fituesit socialistë janë në të drejtën e tyre të festojnë, të “llastojnë” veten e ta “këndojnë” humbësin, të shkruajnë, të hedhin e derdhin kundër të mundurit, batuta ironike, cinike, të zbrazin mllefin, fjalorin, shkujdesjen, deri në diversion. Jeta është si politika, përcaktohet nga zgjedhjet.
Kur populli është bërë enkas për këtë klasë politike, kjo e fundit po enkas është bërë për këtë popull. Nëse bën gabim një herë, atëherë ky është gabim. Nëse bën të njëjtin gabim përsëri, atëherë kjo është zgjedhje. Nëse bën të njëjtin gabim tre herë atëherë kjo është përzgjedhje. Por, kjo zgjedhje apo përzgjedhje, nuk do të thotë se mundë të jetë zgjidhje. Pushteti është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor. Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vetë demokracia. Modeli i keq politik krijon edhe modelin e keq të qytetarit. Fuqia dhe pushteti janë tek Allahu i madhërishëm. Sado e madhe të jetë korniza e fotos së pushtetarit ai përsëri mbetet i vogël. Ne fituam por populli humbi. Me sa duket, ky është trendi në politikë në Shqipëri. Pas zgjedhjeve siç po e shohim ka të ngjarë që të gjithë të bëhen bashkë, kalamaj e komandantë, xhonturq e atdhetarë, guximtarë e besatarë, progresivë e destruktivë, ata që kanë humbur dhe ata që e kanë gjetur çelësin të gjithë mendojnë ndryshe por prap ecin drejtë dhe bashkë dalin fitimtarë. Në kushtet kur lukunia politike ka sjellë vetëm shtim të varfërisë e të pabarazisë mes shtetasve, shumica sheh emigracionin si rrugëzgjidhje. Nuk bëhet fjalë më për arsimim, apo përgatitje profesionale. Punësimi në administratën shtetërore e kanë të drejtë vetëm anëtarët e familjes në pushtet, që shpreson ta mbajë sa më gjatë përmes mashtrimit e kërcënimit të shumicës së stërvarfëruar. Niveli i poshtërsisë në këtë Shqipëri po kap majat sa po çudit gjithë dynjanë. Se ndjehemi tashmë krejt të braktisur pa kemi gjetur rrugën e azilit si zgjidhje. Si një zgjidhje për t’iu larguar këtij pushteti familjar që paturpësisht kjo klasë politike instaloi në këtë Shqipërinë tonë. Sepse familja si një “pushtues” i karriges administrative nuk pranon të largohet nga vendi që ka zënë. Edhe pse komuniteti i njeh shumë prej personave që “kanë pushtuar” karrigen e pushtetit si persona të kriminalizuar, gjysmëanalfabetë por që çuditërisht vazhdojnë të zgjidhen e të emërohen në vende kyçe të pushtetit nga kjo me nder klase politike që ne kemi në krye. Politikanët tanë konvertohen për shumë arsye, prandaj , qytetarët nuk duhet të zhgënjehen kur politikanët “i hanë fjalët e tyre”, por nuk duhet t’u besojnë kur i thonë ato fjalë. Madje po i pyete se pse nuk qëndroni në deklaratat tuaja publike, ata menjëherë mund të të përgjigjen sikur në atë tregimin për Nasradin Hoxhën kur e pyesin “pse i hangre fjalët”, e ai përgjigjet: “Mos i kam hangër fjalët tua! Të miat i hangra”. Ndërkaq, ata hanë fjalët e veta por i vjedhin paratë publike tonat. Jeta është lodhje. Ndonjëherë lodhesh duke e parë veten si zhgënjehesh nga persona që i do. Lodhesh nga pafytyrësia e njerëzve.
Lodhesh duke ecur përpara me kokën lart sikur asgjë të mos kishe ndodhur, kur në fakt je thyer përbrenda. Lodhur duke lejuar të tjerët të të lëndojnë. Lodhur duke falur pabesitë e të tjerëve. Lodhur duke parë veten si ndryshon, duke vrapuar pas dikujt që nuk bën asnjë hap për të ardhur drejt teje, edhe pse i ke bërë plot të mira. Lodhur duke jetuar këtë jetë të padrejë. Por përsëri mos të largohemi në asnjë çast nga adhurimi ndaj Zotit, e nëse Zoti është gjithçka që ne kemi, ne kemi gjithçka që na duhet.