Historia e terrorizmit (1): Cilat janë grupet e para terroriste në botë?

26.08.2017 21:44:11

Kush ishin Zealotët hebrenj dhe Vrasësit arabë?- A ka lindur mafia në Kinë?- Si lindi ideja e terroristit të maskuar dhe anonim?- Kush ishin propaganduesit kryesorë të doktrinës terroriste në shekullin XIX?- Si e definonin ata terroristin dhe luftën e tij?

Grupe të organizuara, që kanë ushtruar terror sistematik, janë hasur herët në historinë e regjistruar të njerëzimit. Nga shkrimet e Xhozefus Flaviusit dihet mjaft për sikarët (sicari), fraksion esktrem hebre, që ishte aktiv pas pushtim romak të Palestinës (ata na japin fjalën “zealot”). Ata ishin po ashtu të përfshirë në rrethimin dhe vetëvrasjen kolektive të Masadës. Këta patriot (ose ultrapatriot, siç do të quhen në kohët e mëvonshme) kanë sulmuar armiqtë e tyre, kryesisht hebrenjtë tjerë, në agim, shpeshherë edhe gjatë kremtimeve apo festave, duke përdorur kamë të vogël (sika) të fshehur nën xhaketën e tyre. Raportohet se ata kanë vrarë një prift të lartë, kanë djegur shtëpinë e një tjetrit dhe arkivat në pallatin e dinastisë herodiane.

MASKIMI SI MJET I TERRORIT!…

Duket se në sulmet e tyre ka pasur gjithashtu edhe elemente sociale: ato ishin të drejtuara po ashtu edhe kundër fajdexhinjve. Ndonëse zealotët angazhoheshin në luftën e tyre guerile kundër romakëve jashtë qyteteve, ata kanë koncentruar aktivitetet e tyre terroriste edhe në Jerusalem. Kur paraqitet revolta e vitit 66, sikarët ishin aktivisht të kyçur në të; njëri nga ta ishte komandant i kështjellës së Masadës. Xhozefus i quante ata bandit të llojit të ri dhe ai i vlerësonte ata si përgjegjësit kryesorë të katastrofës nacionale të vitit 70, kur Tempulli i dytë është shkatërruar dhe kur ka përfunduar së ekzistuari shteti hebre.

Shembull tjetër i hershëm i terroristëve është Rendi i Vrasësve në shekullin XI, degë e ismajlias, sektë myslimane. Hasan Sabahu I, themelues i rendit, është lindur në Kom, qendrën shiite në Persinë Veriore. Sabah ka adaptuar formën ekstreme të doktrinës ismajline që kërkonte pushtimin e disa fortesave malore; fortesa e parë e tillë, Alamut, është pushtuar më 1090. Më vonë, Vrasësit vendosën që të transferojnë aktivitetet e tyre nga regjionet e largëta malore në qendrat kryesore urbane. Viktima e tyre e parë urbane ishte ministri kryesor i sulltananit të Bagdadit, Nazim al Mulk, sunit për nga bindja fetare, prandaj edhe armik. Gjatë viteve në vazhdim Vrasësit ishin aktivë në Persi, Siri dhe Palestinë, duke vrarë një numër të madh të armiqve, kryesisht sunit, por po ashtu edhe të krishterë, përfshirë këtu edhe kontin Rejmondi II të Tripolit në Siri dhe markizin Konrad të Montferatit, i cili udhëhiqte mbretërinë e Jerusalemit. Kishte misterie të shumta për këtë lëvizje dhe udhëheqësin e saj, në sajë të cilit sekreti i aksioneve dhe mbulimi është përdorur. Monferat, për shembull, është vrarë nga një grup i vogël i emisarëve të cilët janë maskuar si priftërinj.

“MAFIA” KINEZE!…

Duke shikuar në retrospektivë, ndikimi i Vrasësve ishte i vogël – ata nuk kanë bërë ndërrime të shumta jashtë fortesave të tyre malore, as nuk kanë prodhuar ndryshime të mëdha në të menduarit apo praktikën myslimane. Alamuti është okupuar nga pushtuesit mongolë rreth vitit 1270, por Vrasësit janë ndalur së qeni forcë kryesore edhe para kësaj (kontributi i tyre kryesor ndoshta ishte fillimi i strategjisë së terrorstëve të maskuar – takfir, apo mashtrimi – si emisar i devotshëm, por në fakt në një mision vetëvrasës, në këmbim të së cilës atij i është garantuar kënaqësia e parajsës).

Përkundër dhunës së konsiderueshme në Evropë gjatë mesjetës apo, edhe më keq, gjatë luftërave fetare të shkujve XVI dhe XVII, në të cilat monarkët, si dhe liderët religjiozë janë vrarë, nuk kishte kampanjë të fortë terroriste gjatë asaj kohe.

Në kulturat, si Kina dhe India, shoqëritë sekrete kanë lulëzuar nga kohët që nuk mbahen në mend. Shumë nga këto shoqëri kanë praktikuar dhunën dhe ishin “zbatuesit” e saj. Motivimi i tyre ishte më shumë religjioz sesa politik, ndonëse ishte një element i shprehur i ksenofobisë në të dy rastet, sikur që ishte sulmi kundër “djajve të huaj” që ka kulminuar me Rebelimin Boksier të vitit 1990. Në Indi, motivimi i thugive (prej nga buron fjala angleze “thug” që do të thotë bandit, rrugaç – v.j.), që kanë ngulfatur viktimat e tyre, me sa duket ishte akt i sakrificës për perëndeshën Kali.

Bandat kineze, para 300-400 viteve, kishin subkulturën e tyre, e cila ka praktikuar medicinën alternative dhe meditimin, bashkë me besimin në të gjitha formulat magjike. Por, ata nuk ishin mileniar asketikë, siç besohet se ishin Vrasësit, dhe ata kishin më shumë të përbashkëta me mafian sesa me terrorizmin modern politik.

TERRORIZMI MODERN!…

Shekulli XIX, koha e tensioneve të mëdha nacionale dhe tronditjeve sociale, dëshmon për paraqitjen e terrorizmit – të cilin do të quajmë “tradicional” – dhe luftës guerile. Lufta guerile së pari paraqitet në strukturën e luftrave napoleane në Spanjë dhe Rusi, që vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Azisë dhe Afrikës, e që arrijnë baticën pas Luftës së Dytë Botërore me dezintegrimin e perandorive evropiane. Terrorizmin, siç e njohim ne, është zhvilluar nga shoqëritë sekrete të Italisë dhe patriotëve irlandezë, por po ashtu është manifestuar edhe në shumë shtete ballkanike, në Turqi dhe Egjipt, dhe natyrisht në mesin e shumë anarkistëve, të cilët kanë besuar në strategjinë e propagandës me vepra. Të fundit, por jo më së paku, ishin terroristët rusë, të cilët para Luftës së Parë Botërore kanë qenë më aktivët dhe më të suksesshmit. Terrorizmi është shqyrtuar gjerësisht në mesin e të djathtës evropiane, jo pse pëdorimi i dhunës si qëndrim politik ishte monopol i të majtes, por sepse e djathta ishte establishment politik dhe se para Luftës së Parë Botërore e majta ishte agjent i ndryshimeve, duke tentuar rrëzimin e partive nga pushteti. Sidoqoftë, shumica e liderëve të së majtës refuzonte terrorizmin për arsye filozofike dhe praktike. Ata favorizonin aksionin kolektiv, si grevat, demonstratat, ndoshta rebelimin, por as Marksi e as antimarksistët e së majtës nuk besonin në “filozofinë e bombës”. Ata jepnin përkrahje politike për patriotët irlandezë dhe revolucionarët rusë, pa përkrahur doemos taktikat e tyre.

FILOZOFIA E SHKATËRRIMIT MASIV!…

Dy përjashtimet kryesore të këtij averzioni të terrorizmit ishin Karl Heincen (Karl Heinzen) dhe Johan Most (Johann Most), radikalët gjermanë që ishin pionierë të filozofisë së përdorimit të armëve me shkatërrim masiv dhe pak a shumë të doktrinës sistematike të terrorizmit. Të dy ata besonin se vrasja ishte politikisht e domosdoshme. Të dy ata kanë lënë vendlindjet e tyre për të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që të dy ishin teoricientë të terrorizmit – por, ironikisht, jo praktikues të aktiviteteve që rekomandonin në shkrimet e tyre.

Heincen, demokrati radikal, fajësonte revolucionet e vitit 1848 për mosshfaqjen e rezultateve të mjaftueshme dhe pamëshirësisë. Çelësi i revolucionit, siç e shihte ai, ishte teknologjia e përmirësuar. Ai parashikonte armët e shkatërrimit masiv, si raketat, gazrat helmuese dhe minat tokësore, që një ditë do të shkatërrojnë qytete të tëra me 100.000 banorë. Ai përkrahte edhe shpërblimet për hulumtim në fushat, si helmimi i ushqimit. Heincen ishte fuqimisht i bindur se shkaku i lirisë, në të cilën ai besonte shumë, nuk do të triumfojë pa përdorimin e helmeve dhe të eksplosivëve. Por, as në Lusvill, Kentaki e as në Boston, ku ai më vonë jeton dhe ku është i varrosur, ai nuk ka praktikuar ligjërimet e tij. I Urti i Roksberit (siç që është quajtur në vitet e ardhshme nga qarqet radikale) u bë luftëtar i patundur për të drejtat e femrave dhe një nga zëdhënësit ekstrem të abolicionizmit; ai ishte bashkëpunëtor i Uilliam Lloyd Garisonit (William Lloyd Garrison), Horas Grillit (Horace Greeley), Uendel Filipsit (Wendell Phillips) dhe i Abraham Linkolnit (Abraham Lincoln). Ai sulmonte Marksin, ndoshta profetikisht, pasi që ai besonte se komunizmi mund të shpie në një formë të re të skllavërisë. Në Amerikën komuniste, shkruante ai, ai nuk do të lejohej që të udhëtonte nga Bostoni në Nju- Jork, që të mbajë fjalim në favor të komunizmit, pa pasur lejen zyrtare për këtë. Në varrin e tij, në varrezën e një paralagjeje të Bostonit në Fores Hill, janë dy mbishkrime, një në gjermanisht që thotë se “liria inspironte shpirtin tim, e vërteta përtërinte zemrën time”, dhe një në anglisht: “Puna jetësore e tij – ngritje e njerëzimit”.

IDEJA E SHEKULLIT XIX PËR LETËR-BOMBËN DHE SULMET AJRORE!…

Johan Most i takon gjeneratës më të re. Duke qenë social-demokrat radikal në vendlindjen e tij, ai erdhi në Amerikë në fillim të viteve 1880. Gazeta e tij e Nju -Jorkut, “Freiheit”, u bë organi më me ndikim anarkist në botë. Most nuk besonte në organizimin e qetë dhe punën propaganduese; njerëzit veç janë të gatshëm për revolucion, besonte ai, dhe e tëra që është e nevojshme është pakica e vogël për ta shfaqur drejtimin. Sistemi prezent është është esencialisht barbar dhe mund të shkatërrohet vetëm me mjete barbare.

Që masat të jenë të lira, ashtu siç e shihte Most, udhëheqësit duhet të vriten. Dinamiti dhe helmi, flaka dhe shpata, tregojnë më shumë sesa 1.000 fjalime revolucionare. Most nuk përjashtonte në prim propagandën, por duhet që të jetë propagandë me vepra, që mbjell konfuzion tek udhëheqësit dhe që mobilizon masat.

Most çmonte shumë rëndësinë e mediave, të cilat ai e dinte se mund të reklamojnë aksionin terrorist në tërë globin. Ai ishte pionier i konceptit të letër-bombës, ndonëse vështirësitë në prodhimin e asaj bombe atë kohë ishin shumë të mëdha dhe, gjithashtu, në ëndrrën e atëhershme të fluturimit, ai imagjinonte sulme ajrore terroriste. Ai parashikonte se do të ishte e mundshme që të hedhësh bomba nga ajri në paradat ushtarake të përcjella nga perandorët dhe carët. Sikur Heinceni, Most besonte se shkenca do t’iu jipte terroristëve përparësi të mëdha kundër armiqve të tyre me zbulimin e armëve të reja. Ai po ashtu ishte ndër të parët që përkrahte bombardimin pa dallim; terroristët nuk mund t’ia lejojnë vetes të udhëheqen nga gjykimi i kalorësisë kundër një armiku shtypës dhe të fuqishëm. Bombat duhet të vendosen kudo që është armiku, i definuar si “sipër njëmijëshi”, që nënkupton aristokracinë dhe shumë të pasurit, të mbledhur, qoftë në kishë apo në sallë vallëzimi.

INSPIRIMI PËR “GATOJCËN ANARKISTE”!…

Në vitet e ardhshme, në fillim të viteve 1890, Most u zhvillua pasi që preferonte strategjinë duale, duke iu vënë theks të veçantë akteve politike dhe propagandës. Vrasja e liderëve të armikut ishte me rëndësi, por sigurimi i shumave të mëdha të parave ishte më se esencial; ai i cili mund të sigurojë disi 100 milionë dollarë që do të përdoren për agjitacion dhe propagandë, do t’i bëjë njerëzimit shërbim më të madh sesa me vrasjen e dhjetë monarkëve. Aktet terroriste në të vërtetë kishin pak rëndësi nëse nuk kryhen në kohën dhe vendin e duhur. Ai pranonte se duhet të ketë një ndarje të punës në mes të lëvizjes politike dhe krahut terrorist. Jo secili revolucionar politik është i lindur që të jetë terrorist; në fakt, sa më pak që liderët politikë dinë për terrorizmin, do të jetë më mirë për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë.

Në vitet e tij të hershme, Most ka punuar për pak kohë në një fabrikë municioni në Xhersi Siti dhe, bazuar pjesërisht në përvojën e tij me dinamit dhe pjesërisht nga libri i publikuar nga gjeneralshtabi i Austrisë, ai ka shkruar një libër të vogël mbi luftën revolucionare. Ky libër më vonë u bë inspirim për “Gatojcën anarkiste”, librin i cili është publikuar nga fraksioni i të Majtës së Re Amerikane më vitet 1960 dhe që mbeti tekst standard në qarqet terroriste (kishte tekste të ngjashme të publikuara nga ekstremistët në vitet e fundit, por të gjitha ato i detyrohen për mirënjohje Mostit).

Atmosfera e Nju- Jorkut, ku Most ka jetuar në vitet e fundit, e zbuti atë. Gradualisht, grupi i tij gjerman me birrat e mbrëmjes, ekskursionet në vikende dhe shfaqjet amatore teatrale, filluan t’i ngjajnë më shumë një klubi sesa një grupi aktiv terrorist. Most nuk ishte terrorist praktikues dhe, ndonëse ishte figurë udhëheqëse në të majtën ekstreme në Shtetet e Bashkuara, policia nuk e vlerësonte atë si njeri shumë të rrezikshëm. Prandaj, ata e lenin atë të qetë dhe madje nuk ia ndalonin as periodikët dhe librat e tij.

BAKUNINI DHE IDEJA PËR TERRORISTIN ANONIM!…

Teoricionti i tretë i shekullit XIX i terrorizmit dhe më i njohuri deri tash është Majkëll Bakunin (Michael Bakunin). Ai ishte aktiv në Rusi, si dhe në Gjermani (gjatë revolucionit të vitit 1948), në Francë e Zvicër. Në “Principet e revolucionit”, të publikuar më 1869, Bakunin shkruante se ai dhe shokët e tij nuk pranojnë asnjë aksion tjetër përveç se shkatërrimit – përmes helmimit, thikës, litarit etj. Qëllimi i tyre final ishte revolucioni: ligësia mund të çrrënjoset vetëm me dhunë; toka ruse mund të pastrohet vetëm nga shpata dhe zjarri.

Bakunini po ashtu publikoi “Katekizmin revolucionar” (libër me pyetje dhe përgjigje – v.j.), që paraqet rregullat e sjelljes për terroristët. Terroristi, sipas Bakuninit, ishte shpirt i vetmuar, pa interesa, përkatësi, lidhje familjare apo miqësi; ai është i paemër (ideja për terroristin anonim është adaptuar më vonë nga lëvizjet tjera terroriste, anëtarët e të cilëve ishin të njohur më shumë me numra sesa emra). Terroristi është ndarë me shoqërinë, me ligjet e saj dhe traditën dhe ai është i gëlltitur nga një pasion: revolucioni. I rreptë ndaj vetes, ai duhet të jetë i rreptë edhe me të tjerët. Bakunin po ashtu ofronte këshilla praktike për infiltrimin e rendit të vjetër me mënyrat e maskimit dhe fshehtësisë, takfiri islamik në stilin rus. Armata, burokracia, bota e biznesit dhe sidomos kisha dhe pallati mbretëror ishin caqe të infiltrimit.

Ai rekomandonte që terroristët të zgjedhin armiqtë më të aftë dhe intelegjentë dhe t’i vrasin së pari ata, sepse vrasjet e tilla mund të ngjallin frikë në mesin e shoqërisë dhe qeverisë. Ata duhet të pretendojnë të jenë miq ndaj liberalëve dhe dashamirët tjerë, ndonëse këta ishin elementë dubiozë, vetëm disa nga të cilët eventualisht mund të bëhen revolucionarë të dobishëm. Referimi përfundimtar është bërë në këtë katetizëm për hajdutët dhe banditët, si elementi i vërtetë revolucionar në shoqëri; sikur të bashkohen që të kenë një kauzë të përbashkët me terroristët, ata do të bëhen të tmerrshëm dhe të pushtetshëm. Shikuar në perspektivën historike, Bakunin ishte, në mes të tjerash, po ashtu edhe paraardhës ideologjik i aleancave taktike në mes të terroristëve dhe sindikatave të krimit, ndonëse është e dyshimtë se ai do të mendonte aq lartë për potencialin revolucionar të Mafias apo të sindikatës së drogës në Kali.