Hoti bisedon me Borrell e Varhelyi për rinisjen e dialogut

19.06.2020 18:29:15

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka pasur telefonata me dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Ai bisedoi me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell dhe me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Olivér Várhelyi

Në këto biseda, kryeministri Hoti i njoftoi diplomatët e lartë evropianë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, veçmas për menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e kësaj pandemie.

Kryeministri Hoti foli edhe për përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për ta përmbyllur me sukses perspektivën integruese evropiane të Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Hoti i falënderoi ata për përkrahjen që institucionet e Bashkimit Evropian i kanë dhënë Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19.

Në bisedën e tij me Komisionarin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, kanë diskutuar për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, dialogun me Serbinë dhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lajmin për bisedën e ka bërë publik edhe vetë Komisionari për Zgjerim, duke thënë se me Hotin kanë diskutuar për nevojën e rinisjes së dialogut me Serbinë dhe për vizat.

“Diskutim i mirë dhe konkret me kryeministrin e Kosovës për bashkëpunimin në të ardhmen, për reformat drejt integrimit evropian, rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë me COVID-19, planet për investime në të ardhmen. Folëm gjithashtu edhe për nevojën që të rinisë dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave”, ka shkruar Varhelyi.