Hoti: Do ta vazhdojmë projektin e nisur për zhvillimin e vendit

04.06.2017 21:21:39

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë të dielën në Klinë se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, e ka luftuar dhe e ka ndalur krimin dhe korrupsionin në Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore dhe si rezultat i kësaj janë shtuar të hyrat në arkën e shtetit për 400 milionë euro.

Mustafa ka thënë se Hoti është i guximshëm, i aftë dhe punëtor për të drejtuar qeverinë e ardhshme.

Ndërkaq, kandidatit për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se bashkimi i partive të djathta, shoqërisë civile, grave dhe të rinjve do të rezultojë me fitoren e sigurt në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Ky bashkim vlerash po i frikëson koalicionin e natës në humbjen e sigurt. LDK dhe partnerët e saj do të korrin fitore të thellë për të mundësuar krijimin e shpejt të qeverisë dhe vazhdimin e projektit për zhvillimin e vendit, të cilin e ndërprenë ata që po kërkojnë ta vazhdojnë kapjen e shtetit”, ka thënë Hoti.

Fadil Gashi, kryetar i Degës së LDK-së në Klinë ka thënë se Abdullah Hoti është njeriu i duhur për ta udhëhequr Qeverinë e re.