Hoti: LDK s’i bashkohet qeverisë, vendi të shkojë në zgjedhje

23.11.2017 22:33:59

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë Haradinaj, dhe sipas tij deklarimet e tilla nga analistë të ndryshëm janë thjesht spekulime dhe të pavërteta me qëllim që t’i përmbushin qëllimet e tyre.

“LDK do të tregojë se do të jetë një opozitë e fuqishme dhe se qeverisja e tanishme do ta rrëzojë vetveten”,thotë Hoti.

Hoti ishte i ftuar në emisionin “Politikë” ku shprehu kritika të mëdha ndaj Qeverisë Haradinaj, për të cilën u shpreh se nuk ka njohuri, vizion dhe as vullnet për ta zhvilluar vendin në asnjë sektor.

“.. qeverisja e tanishme e Kosovës nuk është duke pasur njohuri se si duhet ta udhëheq Kosovën në dialogun me Serbinë”.

Madje për Hotin Qeveria Haradinaj është një anije pa busullë.