Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti sot pas takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçi tha se pas 30 vjetëve janë në pikën kur duhet të përmbyllet përfundimisht dhe të konsolidohet shtetësia e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe është me rëndësi të jenë së bashku në këtë proces.
Hoti pas takimit me Thaçin, në një konferencë për media tha se ngadalë po formësohet dhe po unifikohet qëndrimi i gjitha institucioneve të Kosovës karshi dialogut me Serbinë.
“Sot e prezantova kornizën dialoguese edhe para presidentit dhe të koordinohemi në këtë proces të rëndësishëm që nuk është veç i kësaj qeverie, por i të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Hoti, raporton Telegrafi.
I pyetur se kush do të udhëheqë me dialogun, Hoti tha “ato çështje as nuk shtrohen.. Kushtetuta është e qartë në këtë drejtim, kompetencat edhe të presidentit dhe të mia edhe të institucioneve tjera janë më se të qarta dhe aktvendimi i Kushtetueses i vitit të kaluar është mjaft i qartë. I kemi rolet e ndara po është me rëndësi që në këtë proces të jemi të koordinuar…”.








































