Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu nga ana e kryeministrit Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë se me një veprim të tillë Kurti e ka shkarkuar veten, jo Veliun.
Ai thotë se LDK-ja funksionon ndryshe, si në parti ashtu edhe në institucione.
Postimi i plotë:
Vëmendja jonë ka qenë dhe është tek menaxhimi i situatës, jo tek lojërat politike.
Vendim i Kurtit tregon mungesë totale të përgjegjësisë institucionale dhe ndjeshmërisë ndaj situatës nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri, por edhe të mungesës së etikës në bashkëpunim me partnerë.
LDK-ja funksionin ndryshe, si në parti ashtu edhe në institucione. Zyrtarët e saj shfaqin lirshëm mendimin e tyre mospajtues me udhëheqësin, por ata në të njëjtën kohë janë të përgjegjshëm ndaj detyrave që kanë.
Duket qartë se Kurti nuk funksionon kështu. Keq për të.
Sot Kurti nuk e ka shkarkuar z.Veliu, por veten e tij, duke ikur kështu nga përgjegjësitë shtetërore ndaj qytetarëve në një moment të vështirë për të gjithë.
Sigurojmë qytetarët e vendit se asnjë veprim i yni që do të pasojë nuk do të prekë mirëqenien e tyre, përkundrazi do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të garantuar shëndetin e publik dhe stabilitetin politik të vendit.