Hoti tha se dialogu me Serbinë duhet të udhëhiqet nga kryeministri

31.05.2017 13:14:29

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, në FOL Hapur ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë të udhëhiqet nga kryeministri i vendit, jo nga ndonjë autoritet tjetër, qoftë ai edhe presidenti.

“Dialogu me Serbinë duhet të udhëhiqet nga kryeministri i vendit. Duhet që të nxirren në tavolinë të gjitha temat e rëndësishme. Të ketë një afat kohor të realizimit të marrëveshjeve që arrihen. Përmes bashkëpunimit me miqtë tanë duhet të ketë një kornizë brenda të cilës duhet të kryhet krejt dialogu me Serbinë”.

Më tutje ai ka folur për sferën e tij të specializimit, duke shpjeguar punët që do të bëjnë, nëse fitojnë besimin e qytetarëve, ai ka nënvizuar se programi qeverisës i koalicionit që përfaqëson është i pakonkurrencë.

Ai ka deklaruar se punët e mëdha që kanë bërë gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës i kanë penguar kësaj të fundit, duke premtuar se do të vazhdojnë aty ku e kanë lënë, njofton Klan Kosova.

“Ne sapo kemi nisur punën, shtylla e parë është zhvillimi ekonomik, punësimi. Programi është i pakonkurrencë në krahasim me partitë e tjera. Ne do ta kthejmë edhe më tutje zhvillimin ekonomik kah sektori privat”.

“Bashkimi i ATK-së dhe Doganës së Kosovës nuk është bërë sepse partneri i koalicionit nuk është pajtuar me këtë gjë. Të gjitha reformat që i kam bërë kanë hasur në reagim të strukturës së lartë të PDK-së”.

“Unë e dorëzoj mandatin tek ministri i ardhshëm me një rritje prej 400 milionë eurosh në buxhet. Kjo nuk është bërë përmes inspeksionit, por përmes gjetjes së mënyrave tjera për të mbledhur tatimet”.

“Sot ende bizneset në Kosovë paguajnë TVSH-në në kufi. Ne planifikojmë që ta ndërrojmë këtë gjë, pasi ajo duhet të paguhet nga konsumatori i fundit, jo të ndalet në hyrje, në kufi”.

“Në planin tonë ekonomik kemi planifikuar që borxhi publik të rritet maksimalisht dy për qind cdo vit. Me ligj neve na kufizohet ky lloj borxhi në dyzet për qind të GDP-së së vendit. Por ne kemi qenë të kujdesshëm vazhdimisht dhe ai do të rritet minimalisht”.